Vuçiq: Në 72 orët e fundit po përballemi me terror të hapur, do ta arrestojnë këdo që nuk u nënshtrohet

Vuçiq: Në 72 orët e fundit po përballemi me terror të hapur, do ta arrestojnë këdo që nuk u nënshtrohet

Written by

in

Ish-presidenti i Serbisë dhe bartësi i listës zgjedhore “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi po mbizotëron, siç e quajti ai, terrori i hapur nga ana e atyre që i fituan zgjedhjet.

Vuçiq i bëri këto komente të enjten, në një konferencë për media në selinë e Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

“Ne e njohëm dhe e pranuam rezultatin e zgjedhjeve, si dhe i përgëzuam kundërshtarët tanë. Në 72 orët e fundit po dëshmojmë terror të hapur në rrugë dhe në objekte në të gjithë Serbinë”, tha Vuçiq.

Ajo që përfaqësuesit e shumicës së re e quajnë “çlirimi i mediave”, Vuçiq e cilësoi si hipokrizi dhe gënjeshtër, shkruan klix.ba.

“Të gjithë ata që nuk i lavdërojnë dhe që nuk thonë se ‘plenumi është Zot’, duhet të largohen”, deklaroi ai.

Vuçiq shtoi se, sipas tij, mesazhi i pushtetit të ri është se do të arrestohet kushdo që nuk tregon mjaftueshëm përulje dhe nënshtrim.

Megjithatë, ai nuk specifikoi se cilave ngjarje konkrete u referohej.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, Lista e Studentëve mori 52,54 për qind të votave, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” siguroi 39,29 për qind, sipas të dhënave preliminare të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve. /Telegrafi/