WhatsApp sjell një risi për udhëtarët – blini paketa interneti eSIM direkt në aplikacion

WhatsApp sjell një risi për udhëtarët - blini paketa interneti eSIM direkt në aplikacion

Written by

in

WhatsApp po prezanton një funksion të ri që do t’u mundësojë përdoruesve të blejnë dhe instalojnë paketa interneti për udhëtime jashtë vendit, pa pasur nevojë të largohen nga aplikacioni.

Përmes këtij funksioni, udhëtarët do të mund të blejnë një kartelë virtuale eSIM dhe të sigurojnë qasje në internet në shtetin ku udhëtojnë, pa pasur nevojë të blejnë një kartelë lokale në aeroport apo të paguajnë tarifa të larta të roamingut.

Kompania ka bërë të ditur se shërbimi do të mundësojë blerjen dhe instalimin e paketave të internetit me vetëm disa hapa. Përdoruesit do të mund të zgjedhin destinacionin dhe të shohin ofertat e disponueshme, duke e kryer të gjithë procesin drejtpërdrejt përmes WhatsApp-it.

Një nga përparësitë kryesore është se përdoruesit do të mund të vazhdojnë ta përdorin llogarinë e tyre të WhatsApp-it me të njëjtin numër telefoni. Instalimi i eSIM-it nuk do të kërkojë ndryshimin e numrit me të cilin janë regjistruar në aplikacion.

Për realizimin e këtij shërbimi, WhatsApp po bashkëpunon me disa kompani të telekomunikacionit dhe ofrues të kartelave virtuale, përfshirë Jio, Smart Axiata, Smart Communications dhe Verizon.

Funksioni do të jetë i disponueshëm fillimisht në disa shtete të përzgjedhura, ndërsa kompania planifikon ta zgjerojë gradualisht edhe në tregje të tjera.

WhatsApp ende nuk ka bërë të ditur se në cilat shtete do të ofrohet fillimisht shërbimi, sa do të kushtojnë paketat e internetit apo sa gigabajt do të përfshijë secila ofertë.

Me këtë risi, aplikacioni synon ta lehtësojë komunikimin gjatë udhëtimeve ndërkombëtare, duke u mundësuar përdoruesve të kenë internet sapo të arrijnë në destinacion, pa u varur nga rrjetet publike Wi-Fi apo kartelat fizike SIM. /Telegrafi/