Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbërritur të enjten në Moskë, ku do të zhvillojnë bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve të administratës së Donald Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Washingtoni synon të marrë miratimin e Putinit për përfshirjen e përfaqësuesve evropianë në procesin negociator, pas dy ditëve të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi, të cilat përfunduan pa ndonjë përparim vendimtar.
I dërguari special i Putinit, Kirill Dmitriev, njoftoi përmes një postimi në rrjetin social X mbërritjen e përfaqësuesve amerikanë në aeroportin Vnukovo të Moskës, duke publikuar edhe pamje nga pritja e tyre.
Bisedimet e 10 dhe 11 nëntorit sollën një marrëveshje në parim për një shkëmbim të rëndësishëm të të burgosurve të luftës, por dallimet kryesore për çështjet territoriale, garancitë e sigurisë pas luftës dhe rolin e Evropës mbetën të pazgjidhura.
Kushner tha se takimi me Putinin do të përqendrohet te rezultatet e negociatave në Abu Dhabi, ndërsa një nga synimet kryesore është marrja e miratimit të Moskës për përfshirjen e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve evropianë, transmeton Telegrafi.
“Ne shohim disa hapësira dhe mundësi”, deklaroi ai para gazetarëve, duke shtuar se pas takimit në Moskë, së bashku me Witkoffin do të udhëtojë drejt Dublinit për ta informuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për zhvillimet.
“Ne ia kemi përcjellë drejtpërdrejt presidentit Putin dhe ekipit të tij disa herë se mënyra e vetme për ta arritur këtë është që ata të jenë pranë nesh. Mendoj se janë të hapur ndaj kësaj ideje. Shpresoj që nesër në Moskë, Steve dhe unë të kemi sukses dhe presidenti Putin ta japë miratimin për këtë”, tha Kushner.
Për Witkoffin, i cili fillimisht udhëhoqi negociatat e administratës Trump me Rusinë për Ukrainën, kjo është vizita e dhjetë në Rusi që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, në janar të vitit 2025.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Putini fillimisht do të informohet nga delegacioni rus për rezultatet e bisedimeve në Abu Dhabi dhe më pas do të dëgjojë vlerësimin e të dërguarve amerikanë.
Sipas Lavrovit, presidenti rus do të vendosë më pas për hapat e ardhshëm të Moskës në negociata. Ai shtoi se qëndrimi i Rusisë do të vazhdojë të përqendrohet në arritjen e objektivave të pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës.
Ndërkaq, ndihmësi i Kremlinit, Vladimir Medinsky, i cili udhëhoqi delegacionin rus në Abu Dhabi, ishte edhe më i drejtpërdrejtë. Ai tha se Moska do të jetë e kënaqur vetëm kur të sigurojë fitoren dhe të arrihet një marrëveshje sipas kushteve të saj, që në masë të madhe do të nënkuptonte kapitullimin e Ukrainës.
Medinsky hodhi poshtë edhe mundësinë e përfshirjes së menjëhershme të Evropës në negociata.
“Kur ata (evropianët) të zhvillojnë një ndërgjegje, do të mund të marrin pjesë në negociatat për paqe”, deklaroi ai pas bisedimeve në Abu Dhabi.
Ai akuzoi gjithashtu vendet evropiane se janë pjesë e asaj që e quajti “mashtrim kolektiv ndaj popullit ukrainas”, duke pretenduar se ato mbajnë përgjegjësi edhe për vdekjen e civilëve.
Deklaratat e zyrtarëve rusë tregojnë se Moska vazhdon të mbajë kërkesa maksimaliste dhe nuk ka dhënë sinjale të qarta për kompromis, pavarësisht përpjekjeve të reja diplomatike amerikane.
Bisedimet në Emiratet e Bashkuara Arabe shënuan raundin e parë të negociatave trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së, të ndërmjetësuara nga Washingtoni, pas nëntë muajsh.
Kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, tha se diskutimet përfshinë hapat drejt një marrëveshjeje më të gjerë paqeje dhe rindërtimit të Ukrainës pas përfundimit të luftës.
“Hapi i parë është përfundimi i luftës dhe sigurimi i garancive të sigurisë për Ukrainën”, shkroi Umerov në X.
Kushner pranoi se dallimet mes palëve mbeten të konsiderueshme, por tha se gjatë bisedimeve janë identifikuar disa fusha ku mund të gjenden kompromise.
“Në disa fusha shohim mundësi për kompromis, ndërsa për të tjera na duhen diskutime të mëtejshme. Megjithatë, mendoj se ky ishte një hap i mirë i parë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Zelensky, i cili ndodhet në Dublin për takime me liderët evropianë, tha se shpreson që të dërguarit amerikanë të kthehen nga Moska me propozime konkrete.
“Ajo që ka rëndësi është se amerikanët shkuan te Putini me propozime konkrete. Do të dëshiroja shumë që të ktheheshin në Dublin me përgjigje konkrete”, tha presidenti ukrainas.
Ai pranoi se mbetet skeptik për mundësinë e përparimit, por shtoi se ende ekziston shpresa për rezultate nga përpjekjet diplomatike. /Telegrafi/