Federata Zvicerane e Futbollit ka bërë të ditur të martën se i ka shqyrtuar në mënyrë të plotë të dy rastet dhe e konsideron të arsyeshëm rikthimin e futbollistëve pas përfundimit të procedurave ligjore dhe pasojave sportive që kanë pasur.
Xhaka, i cili luan në mesfushë, kishte pranuar se në vitin 2022 kishte siguruar një certifikatë të falsifikuar vaksinimi, me qëllim që të mund të udhëtonte dhe të luante futboll. Ai dhe federata kishin rënë dakord që futbollisti t’i mungonte Zvicrës në ndeshjet e tetorit në Ligën e Kombeve kundër Skocisë, Sllovenisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, sulmuesi Breel Embolo ishte larguar nga lista e kombëtares në fund të shtatorit për të njëjtën çështje.
Të dy futbollistët janë dënuar me nga 150 mijë franga zvicerane gjobë me kusht, për një periudhë prove prej dy vjetësh.
Drejtori i kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka thënë se rikthimi i tyre në nëntor është një vendim i përgjegjshëm dhe i drejtë.
Xhaka ka kërkuar falje për veprimin e tij dhe e ka pranuar përgjegjësinë, duke e cilësuar atë si gabim.
Federata ka konfirmuar gjithashtu se Xhakës nuk do t’i hiqet shiriti i kapitenit. Vendimi për këtë çështje mbetet në duart e ekipit dhe të përzgjedhësit Murat Yakin.
Zvicra do t’i zhvillojë në nëntor dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, kundër Sllovenisë dhe Skocisë. Aktualisht, zviceranët kryesojnë Grupin E me dymbëdhjetë pikë.
Burimi: RTKLive
