
Një 27-vjeçare në Gjakovë ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke denoncuar dhunën e vazhdueshme psikologjike që, sipas saj, po ushtron ndaj saj i dashuri për shkak të xhelozisë. Pas denoncimit, zyrtarët policorë kanë nisur kërkimet për të dyshuarin, por nuk kanë arritur ta lokalizojnë, mëson Gazeta Sinjali.
Ngjarja është raportuar të hënën, më 9 nëntor, rreth orës 22:30, në rrugën “Ali Ibra” në Gjakovë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima është G.P. (27), ndërsa i dyshuari është partneri i saj, B.I. (34).
Gjatë denoncimit, e reja ka deklaruar se i dashuri po i shkaktonte vazhdimisht dhunë psikologjike, të cilën ajo e ka lidhur me xhelozinë e tij.
Pas raportimit, viktimës i është ofruar trajtim mjekësor, por ajo ka refuzuar dhe ka vendosur të kthehet te prindërit e saj.
Ndërkohë, Policia ka ndërmarrë veprime për lokalizimin e 34-vjeçarit, duke e kërkuar në shtëpinë e tij dhe në disa lokacione të tjera ku dyshohej se mund të ndodhej.
Megjithatë, deri në përpilimin e informacioneve policore, i dyshuari nuk ishte gjetur.
Për rastin është njoftuar Prokuroria, ndërsa Policia do të vazhdojë kërkimet për sigurimin e pranisë së të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
/Gazeta Sinjali/
Burimi: Sinjali