Xherdan Shaqiri shënon pas një kohe të gjatë, por një tjetër shqiptar ia prish festën Baselit

Xherdan Shaqiri shënon pas një kohe të gjatë, por një tjetër shqiptar ia prish festën Baselit

Written by

in

Xherdan Shaqiri është rikthyer te golat pas afro dy muajsh, por realizimi i tij nuk mjaftoi që Baseli të shmangte humbjen në përballjen ndaj Grasshoppers.

Grasshoppers me rezultat 2-1 ndaj Baselit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 15-të të Superligës së Zvicrës.

Shaqiri e nisi ndeshjen nga banka rezervë, ndërsa u inkuadrua në lojë në minutën e 61-të. Vetëm tri minuta më vonë, 35-vjeçari realizoi për 1-0, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij.

Megjithatë, vendasit reaguan shpejt dhe në minutën e 71-të Samuel Krasniqi barazoi shifrat në 1-1. Përmbysjen e plotë të rezultatit e realizoi Nikolas Muci, i cili pas asistimit të Amir Abrashit shënoi për 2-1, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund.

Krasniqi, Abrashi dhe Bujar Pllana e zhvilluan tërë ndeshjen për Grasshoppersin, duke kontribuar në fitoren e skuadrës së tyre.

Për Shaqirin, ky ishte goli i parë pas afro dy muajsh. Herën e fundit ai kishte realizuar më 13 shtator, kur shënoi dy gola në fitoren 4-2 të Baselit ndaj Luzernit.

Në këtë edicion, Shaqiri ka regjistruar katër gola dhe një asistim, por kësaj radhe realizimi i tij nuk pati vlerë për pikët e Baselit./Telegrafi/