Ylli i PSG-së këput ligamentin – kur arriti në shtëpi, policia po e priste

Ylli i PSG-së këput ligamentin - kur arriti në shtëpi, policia po e priste

Written by

in

Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Desire Doue, po kalon një periudhë të vështirë. Përveç dëmtimit të rëndë në gju, që pritet ta mbajë jashtë fushave për të paktën gjashtë muaj, futbollisti francez është përballur edhe me një tentim vjedhjeje në shtëpinë e tij.

Sipas raportimit të mediumit francez Le Parisien, persona të panjohur tentuan të hynin me forcë në shtëpinë e 21-vjeçarit në Orgeval, pranë Parisit, gjatë natës së së shtunës.

Disa persona arritën të futeshin në oborrin e pronës, por u larguan me vrap pasi kuptuan se dikush ndodhej brenda.

Doue u përball me xhandarët në momentin kur u kthye në shtëpi nga Nice. Deri më tani, nuk ka konfirmim për hyrje me forcë në objekt apo për vjedhje të ndonjë sendi. Ndërkohë, prona është vendosur nën masa të shtuara sigurie.

Të paktën gjashtë muaj jashtë fushave

Doue u lëndua në ndeshjen e xhiros së 11-të të Ligue 1, ku PSG-ja fitoi 3-2 në udhëtim ndaj Nicës. Kah fundi i pjesës së parë, sulmuesi ndjeu dhimbje në gjurin e djathtë dhe u detyrua të largohej nga fusha, duke mos arritur t’i mbante lotët.

Një ditë më vonë, klubi parisien konfirmoi se futbollisti ka këputur ligamentin e kryqëzuar anterior në gjurin e djathtë. Ai pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale deri në fund të muajit.

Sipas mediave franceze, rikuperimi mund të zgjasë të paktën gjashtë muaj, çka do të thotë se sezoni për të ka shumë gjasa të ketë përfunduar.

Një tjetër goditje për Luis Enriquen

Mungesa e Doué-së është një goditje e madhe për trajnerin Luis Enrique, pasi francezi ishte ndër lojtarët më të dalluar të PSG-së këtë sezon.

Skuadra parisiene tashmë ka humbur edhe Khvicha Kvaratskhelian, i cili pritet të mungojë deri në fund të sezonit që nga dëmtimi i pësuar në tetor.

Kështu, PSG-ja përballet me një tjetër mungesë të rëndësishme në një periudhë të ngarkuar të sezonit, përfshirë edhe sfidat në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/