Ish zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) Luke Zahner ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm që nga periudha e pasluftës, por ka theksuar se njohja e plotë ndërkombëtare dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë vazhdojnë të jenë pengesat kryesore për integrimin e saj euroatlantik.
Në një intervistë për Telegrafin, Zahner ka kujtuar gjendjen e Kosovës në vitet 1998 dhe 1999, duke thënë se transformimi i vendit gjatë 27 viteve të fundit është i pamohueshëm.
“Kur i kujtojmë kushtet në terren në vitet 1998 dhe 1999 dhe më pas shohim Prishtinën apo qytetet e tjera të Kosovës sot, transformimi është i pamohueshëm”, ka deklaruar ai.
Sipas Zahnerit, Kosova ka ndërtuar institucione demokratike dhe është zhvilluar në një sistem demokratik evropian, të cilin vazhdon ta konsolidojë.
Megjithatë, ai ka thënë se statusi i papërfunduar ndërkombëtar i Kosovës mbetet një pengesë e rëndësishme.
“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë përbën një pengesë të jashtëzakonshme për arritjen e synimit përfundimtar të Kosovës: integrimin e plotë në komunitetin euroatlantik”, ka thënë Zahner.
Ai ka kërkuar që normalizimi të mbetet në krye të agjendës së udhëheqësve të Kosovës, pavarësisht vështirësive të procesit.
Ndër sfidat e tjera, Zahner ka përmendur mirëqenien ekonomike, veçanërisht mundësitë për të rinjtë, luftën kundër korrupsionit, energjinë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Intervistën e plotë mund ta lexoni KËTU.