Zbulohen detaje nga rasti i Arlinda Zekajt, kërkohet paraburgim për Jeton Sylajn

Zbulohen detaje nga rasti i Arlinda Zekajt, kërkohet paraburgim për Jeton Sylajn

Written by

in

Zbulohen detaje nga rasti i Arlinda Zekajt, kërkohet paraburgim për Jeton Sylajn

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Jeton Sylaj, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.

Sipas kërkesës së siguruar të organit të akuzës, Sylaj dyshohet se më 25 tetor theu urdhrin mbrojtës të lëshuar vetëm pak ditë më parë nga Gjykata Themelore në Pejë, duke ushtruar dhunë psikologjike dhe kanosje serioze ndaj bashkëshortes së tij, në shtëpinë e tyre në fshatin Vitomiricë.

Në dosjen e Prokurorisë që e ka siguruar gazetarja e Klan Kosovës, Blerta Ahmeti theksohet se i pandehuri gjendej nën masën e ndalimit prej 48 orësh që nga data 25 tetor 2026.

Sipas shkresave të lëndës, ngjarja ka ndodhur më 25 tetor, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj” në Vitomiricë të Pejës.

Ndonëse Gjykata Themelore në Pejë më 16 tetor 2026 kishte lëshuar aktvendim me masë mbrojtëse që ia ndalonte të dyshuarit ushtrimin e dhunës fizike e psikike, kërcënimet apo shqetësimet ndaj palës së mbrojtur, ai nuk i është bindur këtij vendimi.

“I pandehuri Jeton Sylaj… përsëri ushtron dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes – të ndjerës Arlinda Sylaj, duke iu drejtuar me fjalët kërcënuese: ‘Unë të thej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time, ti nuk guxon kështu me vepru, kush je ti’, e pastaj nga rrobalarësja, në të cilën viktima kishte vendosur rrobat për t’i larë, i pandehuri i heq të njëjtat duke i hedhur në oborrin e shtëpisë,” përshkruhet në dokumentin e prokurorisë.

Pjesë e kërkesës për paraburgim është edhe dëshmia e dhënë në polici nga viktima po atë ditë, pas ndërhyrjes së patrullës policore.

Në procesverbalin e marrjes në pyetje, ajo kishte rrëfyer tmerrin dhe presionin e përjetuar:

“…Vetëm kur e kam dëgjuar Jetonin duke bërtit me të madhe dhe më ka kërcënuar me fjalët: ‘Unë të thej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time, ti nuk guxon më kështu me vepru, kush je ti’, dhe pastaj ka marrë rrobat e mia dhe i ka gjuajtur në oborrin e shtëpisë… A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin,” kishte deklaruar ajo para hetuesve.

Ndërkaq, i dyshuari Jeton Sylaj gjatë intervistimit në stacionin policor ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore për t’u mbrojtur në heshtje.

Prokurori i Shtetit ka kërkuar masën e paraburgimit duke e cilësuar si të pamjaftueshme çdo masë tjetër më të butë, me arsyetimin se ekziston rrezik konkret i arratisjes së të dyshuarit.

I pandehuri rezulton të ketë shtetësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jeton atje, rrethanë kjo e pohuar edhe nga vetë ai gjatë deklaratave të mëparshme.

Nga verifikimet në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës rezulton se Jeton Sylaj ka të hapura gjithsej gjashtë (6) raste penale, prej të cilave katër datojnë vetëm përgjatë vitit 2026.

Mbi këto baza, Prokuroria ka vlerësuar se nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rrezik real që ai të largohet nga vendi dhe t’i shmanget përgjegjësisë penale, ndaj i është drejtuar Gjykatës Themelore në Pejë për caktimin e paraburgimit.