Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje mbështetësve të Ukrainës që të shprehin përkrahjen për sanksionet e reja amerikane kundër Rusisë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për pezullimin e zbatimit të një pakete të gjerë kufizimesh ndaj ekonomisë ruse.
Vendimi i Shtëpisë së Bardhë ka shtuar shqetësimet se Ukraina mund të mbetet më e pambrojtur përballë sulmeve të intensifikuara ruse, ndërsa po afrohet dimri, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Zelensky e ka cilësuar si të pafat vendimin e Trumpit për pezullimin e sanksioneve, por nuk e ka kritikuar drejtpërdrejt presidentin amerikan, në një kohë kur tensionet mes Kievit dhe Uashingtonit janë shtuar ditët e fundit.
“Fatkeqësisht, në Amerikë u mor një vendim për ta shpërfillur plotësisht Aktin e Lindsey Grahamit, i cili duhej të ushtronte presion vërtet efektiv ndaj Rusisë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, ka shkruar Zelensky.
Megjithatë, presidenti ukrainas ka shprehur shpresën se sanksionet mund të rikthehen në fuqi.
“Ky akt mund të kishte ndihmuar jashtëzakonisht shumë – dhe ende mundet! Por duhet të zbatohet realisht dhe çdo zë në mbështetje të tij ka rëndësi”, ka deklaruar ai.
Rusia godet infrastrukturën energjetike të Ukrainës
Ndërkohë, Zelensky ka njoftuar se Rusia ka kryer një sulm të gjerë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke goditur më shumë se 15 lokacione në mbarë vendin.
“Shkalla e madhe dhe ritmi i pandërprerë i sulmeve ruse, veçanërisht ndaj sektorit tonë energjetik, fatkeqësisht po shkaktojnë pasoja të rënda”, ka thënë ai.
Forcat Ajrore të Ukrainës kanë bërë të ditur se gjatë natës, Rusia ka lëshuar katër raketa lundruese dhe 332 dronë sulmues.
Sipas tyre, të katër raketat dhe 289 dronë janë neutralizuar ose shkatërruar.
Bombardimi i vazhdueshëm rus ndaj rrjetit energjetik ukrainas përpara dimrit është bërë një nga taktikat e përsëritura të luftës. Sulmet synojnë të dëmtojnë furnizimin me energji elektrike, ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm për civilët, duke rritur presionin mbi Ukrainën për vazhdimin e luftës.
Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar gjithashtu se Rusia po grumbullon raketa balistike për të kryer sulme të tjera gjatë muajve të ardhshëm.
Trump bllokon një pjesë të sanksioneve ndaj Rusisë të miratuara nga Kongresi
Burimi: Dukagjini
