
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka pritur në takim në Kiev nje ekip të një kompanie amerikane që merret me prodhimin e sistemeve të mbrojtjes.
Ai ka thënë se ky ekip do të ndihmojë Ukrainën për të shpëtuar jetë, pasi sipas tij, sistemet e kompanisë për “Patriot” dhe avionët F-16 luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen kundër raketave balistike ruse dhe dronëve “Shahed”.
“Dhe në të dyja këto fusha, situata aktualisht nuk është e lehtë. Diskutuam se si mund t’i zgjerojmë dhe t’i rrisim furnizimet. Kompania aktualisht po rrit prodhimin e interceptorëve për raketa balistike.”, ka thënë Zelensky në një postim në rrjetin social, duke shpërndarë edhe video nga takimi me këtë ekip.
Ai ka thënë se Ukraina pritet të jetë në gjendje të blejë disa prej tyre për të mbrojtur më shumë jetë.
“Gjithashtu, po bëjmë gjithçka që është e mundur që mirëmbajtja dhe riparimi i avionëve F-16 të kryhen në Ukrainë.”, ka thënë ai. /Klankosova.tv