
Komisioni Zgjedhor Republikan ka publikuar rezultatet e para nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, sipas të cilave lista e Aleksandar Vuçiqit ka siguruar 141 ulëse, ndërsa Lista Studentore 95 ulëse në Parlamentin me 250 vende.
Rezultatet e publikuara bazohen në numërimin e votave nga 203 prej gjithsej 8 mijë e 392 vendvotimeve, që përbëjnë 2.04 për qind të tyre.
Në garë për ulëset parlamentare janë gjithsej 18 lista zgjedhore, përfshirë edhe Koalicionin Shqiptar nga Lugina e Preshevës, që garon me numrin 17.
Sipas të dhënave të Ipsos dhe CeSID, pjesëmarrja në votime deri në orën 19:00 arriti në 67.6 për qind, krahasuar me 55.9 për qind sa ishte në zgjedhjet e mëparshme në të njëjtën orë.
Në këto zgjedhje, të drejtë vote kishin rreth 6.45 milionë qytetarë, ndërsa pragu zgjedhor për hyrje në Parlament është tre për qind, me përjashtim të listave të komuniteteve.
Ndërkohë, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) ka njoftuar se deri në orën 20:00 kishte pranuar mbi 300 raportime për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.
Sipas organizatës, parregullsitë e raportuara përfshinin probleme me votimin jashtë qendrave të votimit, votim pa dokument identifikimi, fotografim të fletëvotimeve dhe raste të votimit në grup apo familjar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali