Zgjedhjet për Kongresin nuk janë të vetmet që duhen ndjekur në SHBA

Zgjedhjet për Kongresin nuk janë të vetmet që duhen ndjekur në SHBA

Written by

in

Zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara nuk përcaktojnë vetëm përbërjen e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Ato vendosin gjithashtu se kush do të drejtojë qeveritë e 36 prej 50 shteteve amerikane.

Gara për postet e guvernatorëve po tërheq vëmendje të veçantë, pasi disa prej kandidatëve mund t’i shfrytëzojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve për të forcuar pozitat e tyre në prag të garës presidenciale të vitit 2028, transmeton Telegrafi.

Në mesin e tyre është guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, i cili po kandidon për rizgjedhje dhe raportohet se po shqyrton mundësinë për të garuar si kandidat i demokratëve për president.

Edhe guvernatori i Illinoisit, JB Pritzker, nuk e ka përjashtuar një kandidim të mundshëm presidencial. Në një intervistë të fundit për NBC News, ai la të hapur mundësinë për të hyrë në garën e vitit 2028.

Një tjetër emër që mund të synojë kandidimin republikan është sipërmarrësi Vivek Ramaswamy, i cili më herët drejtoi së bashku me Elon Musk njësinë DOGE të administratës së Donald Trumpit. Një fitore në zgjedhjet për guvernator në Ohio mund t’i forcojë pozitat e tij politike.

Edhe guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, i cili po kandidon për një mandat tjetër, mund të ketë ambicie për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Ndërkohë, dy guvernatorë që janë përmendur si kandidatë të mundshëm presidencialë do të largohen nga detyra për shkak të kufizimeve kushtetuese të mandateve. Bëhet fjalë për Gavin Newsom të Kalifornisë, nga radhët e demokratëve, dhe Ron DeSantis të Floridës, nga republikanët.

Kështu, rezultatet e garave për guvernatorë mund të kenë rëndësi përtej politikës së brendshme të shteteve, duke ndikuar edhe në përgatitjet e partive për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. /Telegrafi/