
Egnatia nis aventurën e saj historike në grupet e Conferencë League. Kampionët e Shqipërisë do të luajnë ndeshjen e parë kundër Midtjylland me një ndryshim të rëndësishëm në agjendë.
Për shak të protestave të dhunshme në Tiranë, kjo ndeshje nuk do të luhet në “Air Albania” siç ishte parashikuar, por është spostuar në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 18:45, shkruan abcnews.al, transmeton klankosova.tv.
Vendimi u mor pas mbledhjes së delegatëve të UEFA-s me drejtuesit e dy klubeve dhe lidhet me sigurinë.
Pikërisht për këtë arsye, danezët e Midtjyland nuk e zhvilluan të plotë seancën e fundit stërvitore në stadiumin e ndeshjes, ndërsa Egnatia nuk zbriti fare në fushë.
Kjo e bën aspak pozitive atmosferën që rrethon atë që është një ndeshje historike për skuadrën nga Rrogozhina, që për herë të parë luan në një nivel kaq të lartë të futbollit europian për klube.
Egnatia kërkon të nisë me sukses aventurën e saj në fazën e Ligës në Conference League, pavarësisht se përballë ka një rival të fortë dhe të mësuar me turnetë europianë.
Trajneri Nevil Dede do të ketë në dispozicion të gjithë titullarët e tij, shumica prej të cilëve i janë nënshtruar rotacionit në ndeshjen e fundit në kampionat.
Sa i përket parashikimeve, Egnatia nuk kuotohet shumë për fitoren, ndërsa përpara ndeshjes favoritë janë danezët e Midtjylland.