ZRRE pranon mungesën e kontrollit dhe paralajmëron auditim për vitin 2027

ZRRE pranon mungesën e kontrollit dhe paralajmëron auditim për vitin 2027

Written by

in

ZRRE pranon mungesën e kontrollit dhe paralajmëron auditim për vitin 2027

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka pranuar se investimet e KEDS-it dhe KOSTT-it deri më tani nuk i janë nënshtruar auditimit në terren, ndërsa një tender i iniciuar për këtë qëllim kishte dështuar për shkak të çështjeve që lidhen me konfliktin e interesit.

Kjo u bë e ditur gjatë raportimit të Bordit të ZRRE-së para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku u shqyrtua raporti vjetor i punës për vitin 2025.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ngriti shqetësime lidhur me investimet në rrjetin energjetik, humbjet e energjisë dhe ndikimin e kostove në faturat e qytetarëve.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, pranoi se institucioni kishte bërë shqyrtimin e investimeve, por jo auditimin e tyre në terren.

Sipas tij, tenderi për auditimin e investimeve në KEDS dhe KOSTT ishte ndërprerë për shkak të çështjeve që lidheshin me konfliktin e interesit.

Gojani bëri të ditur se auditimi është përfshirë sërish në planifikimet buxhetore për vitin 2027.

Çmimi i importit të energjisë arriti në rreth 240 euro për megavat-orë

Gjatë raportimit, Gojani foli edhe për tejkalimin e kostove të importit të energjisë elektrike.

Ai tha se çmimi i lejuar i importit për vitin 2025 ishte 146 euro për megavat-orë, ndërsa gjatë tetorit të këtij viti çmimi mesatar kishte arritur në rreth 240 euro për megavat-orë.

Sipas tij, këto tejkalime trajtohen gjatë procesit të shqyrtimit tarifor dhe përcillen për vitin pasues.

Gojani paralajmëroi gjithashtu mundësinë e krijimit të një departamenti të posaçëm për monitorimin e operatorëve energjetikë, investimeve dhe respektimit të standardeve të cilësisë.

Ai bëri të ditur se ZRRE aktualisht ka rreth 25 punonjës, nga 41 sa janë paraparë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali