Gjatë takimit të enjten në Bruksel me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, Zulfaj ka diskutuar për reformat në Kosovë, zbatimin e Planit të Rritjes dhe integrimin në skemat evropiane SEPA dhe “Roam Like at Home”.
Sipas njoftimit, Zulfaj ka paraqitur progresin e Kosovës në sundimin e ligjit, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe harmonizimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Në takim është diskutuar edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i dorëzuar më 15 dhjetor 2022. Zulfaj ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj reformave dhe vlerave evropiane, duke kërkuar që ky përkushtim të vlerësohet nga institucionet e BE-së.
Sipas njoftimit, pjesë e diskutimit kanë qenë edhe zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë ligjin e miratuar nga Kuvendi për Dhomat e Specializuara. Zulfaj ka vlerësuar se verdikti i 16 shtatorit ishte i padrejtë dhe ka shprehur pritjen që ai të korrigjohet në shkallën e apelit. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se Qeveria ka formuar një grup punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me këtë çështje.
Në përfundim të takimit, Zulfaj ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës për vazhdimin e reformave dhe bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian në rrugën drejt anëtarësimit.
Gjatë ditës pas takimit me Zulfajn, Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme dhe se, sipas saj, miratimi dhe zbatimi i tyre do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi në platformën X, Kos ka bërë të ditur se për këtë ka diskutuar me kryenegociatorin Jeton Zulfaj.
Ajo ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj ndryshimeve të fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme. Miratimi dhe zbatimi i tyre do të binin ndesh me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Ato do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka theksuar ajo.
Kos ka shtuar se respektimi i sundimit të ligjit dhe i institucioneve të pavarura gjyqësore është thelbësor për hapat e ardhshëm të Kosovës drejt integrimit evropian.
Burimi: RTKLive
