Zulfaj reagon pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit të BE-së: Skandaloze dhe e papranueshme

Zulfaj reagon pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit të BE-së: Skandaloze dhe e papranueshme

Written by

in

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka reaguar pasi në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së, në Bruksel, është interpretuar një këngë nacionaliste serbe kundër Kosovës.

Zulfaj e ka cilësuar këtë veprim si skandaloz dhe të papranueshëm, duke kërkuar shpjegime nga komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, nën udhëheqjen e së cilës po mbahet ky aktivitet.

Në një reagim në platformën “X”, Zulfaj ka thënë se kënga, e cila sipas tij mohon shtetësinë e Kosovës, nuk është dashur të ketë vend në një aktivitet të organizuar nga Bashkimi Evropian.

Ai ka kërkuar nga komisionerja Kos të shpjegojë se si ka ndodhur kjo dhe çfarë masash do të ndërmerren, ndërsa ka vënë në pikëpyetje edhe mospërfshirjen e Kosovës në këtë forum.

Ai ka theksuar se Kosova, sipas tij, është vendi me përparimin më të madh demokratik në Ballkanin Perëndimor gjatë dekadës së fundit dhe plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe vlerat e BE-së, por megjithatë nuk është ftuar në këtë aktivitet.

“Kjo është skandaloze e papranueshme. Një aktivitet i BE-së për zgjerimin nuk mund t’i japë skenë nacionalizmit serb. Komisioneres Kos ia lëmë të shpjegojë se si ndodhi kjo dhe [farë masash do të ndërmarrë, si dhe pse Kosova, vendi me përparimin më të madh demokratik në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj dekade dhe plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe vlerat e BE-së, nuk ishte ftuar”, ka shkruar Zulfaj në platformën “X”

Forumi i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, edicioni i dytë i të cilit ka nisur sot në Bruksel, organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos. Aktiviteti përfundon të hënën.

Burimi: Dukagjini