
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet ndaj tre personave, Avdush Nuhiji, Taulant Etemi dhe Albina Cani, të dyshuar për trafikim ndërkufitar të narkotikëve, në kuadër të operacionit policor “Kufiri 2”, gjatë të cilit janë sekuestruar 136 kilogramë marihuanë.
Në mesin e të arrestuarve është edhe Taulant Etemi, i cili dyshohet se drejtonte veturën Audi A6, në të cilën transportohej droga. Ai nuk iu bind urdhrit të policisë për t’u ndalur, por vazhdoi ikjen me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar një aksident trafiku.
Insajderi ju sjell detajet nga dosja e Prokurorisë, lidhur me rolin e Etemit në këtë rast dhe mënyrën se si përfundoi në pranga, pavarësisht tentimit për t’iu shmangur policisë.
Sipas dosjes, Etemi ishte shoferi i automjetit Audi A6, ndërsa në të njëjtin operacion dyshohet se ishte përfshirë edhe Jasir Bardi, i cili kishte rolin e vëzhgimit të rrugës.
“I pandehuri Taulant Etemi dyshohet se ka drejtuar automjetin Audi A6, në të cilin është gjetur substanca e dyshuar narkotike, ndërsa i pandehuri Jasir Bardi dyshohet se ka pasur rolin e vëzhgimit të rrugës duke lëvizur përpara automjeteve të tjera”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Ndërkaq, Avdush Nuhiji dhe Albina Cani dyshohet se udhëtonin me një automjet VW Tiguan, me të cilin përcillnin dhe vëzhgonin rrugën përpara veturës ku transportohej droga.
Nuk iu bind policisë, tentoi të arratisej dhe shkaktoi aksident
Sipas përshkrimit të ngjarjes në dosjen e Prokurorisë, ndjekja policore nisi pasi Etemi nuk iu bind urdhrit të zyrtarëve policorë për t’u ndalur.
Ai dyshohet se vazhdoi ikjen me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar aksident trafiku, ku u lënduan dy persona.
“Pas identifikimit të automjeteve dhe tentimit të ndalimit nga ana e policisë, i pandehuri Taulant Etemi nuk u është bindur urdhrave policorë, por ka vazhduar ikjen me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar edhe aksident trafiku me lëndime ndaj dy personave”, thuhet në dosje.
Ndjekja përfundoi në afërsi të lokalitetit “Milenium”, ku Etemi humbi kontrollin mbi automjetin. Pas ndërhyrjes së policisë, ai u ndalua dhe u arrestua.
“Në afërsi të lokalitetit ‘Milenium’, automjeti ka humbur kontrollin, ku pas ndërhyrjes policore është ndaluar dhe arrestuar i pandehuri Taulant Etemi, ndërsa në automjet është gjetur substanca e dyshuar narkotike”, përshkruhet në dosjen e Prokurorisë.
Përveç dyshimit për blerje, posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, Etemi ngarkohet edhe për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, për shkak të aksidentit të shkaktuar gjatë tentimit për t’iu shmangur policisë.
Prokurori i rastit, Valdet Avdiu, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Etemit dhe dy të dyshuarve të tjerë, Avdush Nuhiji dhe Albina Cani.
Lexo edhe:
Burimi: Insajderi