142 raste të dhunës në familje për dy javë në Kosovë, BE kritikon dënimet e buta ndaj kryerësve

142 raste të dhunës në familje për dy javë në Kosovë, BE kritikon dënimet e buta ndaj kryerësve

Written by

in

142 raste të dhunës në familje për dy javë në Kosovë, BE kritikon dënimet e buta ndaj kryerësve

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga problemet më shqetësuese në Kosovë, ndërsa shifrat e fundit tregojnë se rastet e raportuara mbeten në nivele alarmante. Përveç numrit të lartë të rasteve, shqetësim mbetet edhe mënyra se si institucionet e drejtësisë i trajtojnë këto vepra.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i publikuar këtë javë, evidenton mangësi serioze në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, duke kritikuar veçanërisht vendimet gjyqësore dhe dënimet e buta ndaj kryerësve.

Sipas raportit, ndonëse shumica e rasteve trajtohen me prioritet nga institucionet e drejtësisë, në përputhje me udhëzimet e Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, rezultatet mbeten joefikase dhe shpesh përfundojnë me aktgjykime të dobëta.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2025 janë raportuar 2 mijë e 509 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2024 ishin regjistruar 2 mijë e 547 raste. Komisioni Evropian thekson se kjo vazhdon të jetë forma më e raportuar e dhunës me bazë gjinore në vend.

Shifrat janë shqetësuese edhe për periudhën e fundit. Vetëm gjatë dy javëve të fundit janë regjistruar 142 raste të dhunës në familje në Kosovë.

Nga 23 deri më 30 tetor janë raportuar 69 raste, ndërsa nga 30 tetori deri më 6 nëntor janë regjistruar edhe 73 raste të tjera.

Këto të dhëna vijnë në një kohë kur vendi është tronditur nga raste të rënda të dhunës ndaj grave, veçanërisht pas vrasjes së Arlindës, duke rikthyer në vëmendje sigurinë e viktimave dhe përgjegjësinë e institucioneve për t’i mbrojtur ato.

Komisioni Evropian ngre shqetësime edhe për sistemin e parandalimit dhe mbrojtjes së viktimave, të cilin e vlerëson si të pamjaftueshëm. Problem mbetet edhe mbledhja e të dhënave, pasi nëntë institucione furnizojnë bazën e integruar për rastet e dhunës në familje, por regjistrimi nuk bëhet në mënyrë të njëtrajtshme dhe jo të gjitha format e dhunës me bazë gjinore përfshihen në të.

Në raport kërkohet gjithashtu ndërlidhja e sistemit të evidencës penale me bazën e të dhënave për dhunën në familje, në mënyrë që institucionet të shkëmbejnë më lehtë informacionet.

Kritika ka edhe për financimin e shërbimeve për viktimat. Komisioni Evropian kërkon krijimin e një skeme shumëvjeçare financimi për strehimoret, në mënyrë që ato të kenë qëndrueshmëri dhe të garantojnë vazhdimësinë e shërbimeve.

Po ashtu, raporti vlerëson se Koordinatori Kombëtar kundër dhunës ka nevojë për më shumë personel dhe burime, si dhe për programe konkrete për zbatimin efektiv të mandatit të tij.

Konstatimet e raportit nxjerrin në pah hendekun mes angazhimeve institucionale dhe mbrojtjes që u ofrohet viktimave në praktikë, ndërsa dënimet e buta, mungesa e koordinimit dhe financimi jo i qëndrueshëm i strehimoreve mbeten ndër problemet kryesore që kërkojnë zgjidhje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali