371 kandidatë i nënshtrohen testit kualifikues për 34 pozita të prokurorëve të rinj

371 kandidatë i nënshtrohen testit kualifikues për 34 pozita të prokurorëve të rinj

Written by

in

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur sot testin kualifikues për 371 kandidatë që kanë aplikuar në kuadër të procesit të rekrutimit të 34 prokurorëve të rinj të shtetit.

Sipas njoftimit të KPK-së, nga gjithsej 371 kandidatë, 174 janë femra dhe 197 meshkuj.

Prej 34 pozitave të shpallura, 10 janë të rezervuara për pjesëtarët e komunitetit serb, ndërsa prokurorët e rinj do të emërohen në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës.

Testimi është zhvilluar në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri.

KPK-ja ka bërë të ditur se procesi i hartimit dhe administrimit të testit është realizuar duke zbatuar parimet e transparencës, integritetit dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve. Sipas institucionit, pyetjet e testit janë hartuar në ditën e testimit, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë.

Testi është mbikëqyrur nga Arian Gashi, në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit.

Po ashtu bëhet e ditur se mbarëvajtja e procesit është monitoruar edhe nga përfaqësues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së dhe AVONET-it.

Pas përfundimit të testit kualifikues, procesi i rekrutimit do të vazhdojë me fazat e tjera, përkatësisht testin me shkrim dhe intervistimin e kandidatëve.

KPK-ja ka theksuar se synon që i gjithë procesi të zhvillohet mbi bazën e meritës, profesionalizmit, transparencës dhe paanësisë.

Burimi: Dukagjini