
San Siro pritet të jetë i mbushur me rreth 77 mijë tifozë në mbrëmjen e sotme, kur Milani dhe Interi do të përballen në derbin e 240-të historik mes tyre, në një nga supersfidat më të mëdha të futbollit italian.
Përballja e parë zyrtare mes dy rivalëve të qytetit për këtë sezon pritet të sjellë emocione të mëdha, me të dyja skuadrat që kanë objektiva të ndryshëm para vërshëllimës së parë.
Milani synon të vazhdojë serinë pozitive në derbi, pasi ka fituar tri nga katër përballjet e fundit në Serie A. Kuqezinjtë kanë mundësinë të barazojnë një rekord të arritur gjatë periudhës së Carlo Ancelottit, mes viteve 2002 dhe 2004, kur regjistruan tri fitore radhazi ndaj rivalëve të qytetit.
Në anën tjetër, Interi kërkon të ndërpresë serinë prej shtatë ndeshjesh pa fitore, ndërsa synon të vazhdojë traditën e shënimit të golave. Zikaltërit kanë realizuar në 19 ndeshjet e fundit të kampionatit, ndërsa herën e fundit që mbetën pa shënuar ishte pikërisht në derbin e sezonit të kaluar.
Sa i përket bilancit historik, Interi ka epërsi me 87 fitore, kundrejt 83 të Milanit, ndërsa 69 përballje janë mbyllur në barazim. Zikaltërit kryesojnë edhe në golat e shënuar, me 328 realizime, ndërsa Milani ka 317.
Atmosfera pritet të jetë madhështore edhe në tribuna, ku prania e rreth 77 mijë spektatorëve mund të shënojë numrin më të lartë të tifozëve në San Siro gjatë tetë viteve të fundit.
Para fillimit të ndeshjes, Milani do të nderojë edhe legjendën braziliane Ricardo Kaká, i cili do të përfshihet në Hall of Fame të klubit, duke iu bashkuar emrave të mëdhenj të historisë kuqezi.
Ndërkohë, të dy trajnerët po përgatitin zgjedhjet e fundit për formacionet startuese, me disa dilema në të dyja kampet, veçanërisht në repartin defensiv të Interit dhe mesfushën e Milanit.
Përtej statistikave dhe formës së skuadrave, derbi mbetet një sfidë ku rivaliteti, krenaria dhe atmosfera e jashtëzakonshme e San Siros pritet të jenë në qendër të vëmendjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali