Kryenegociatori për integrimin evropian, Jeton Zulfaj, theksoi se asnjë reformë e paraparë në kuadër të Agjendës së Reformave nuk do të mbetet pa u zbatuar, pavarësisht vonesave në përmbushjen e afateve.
Ai ka theksuar se, ndonëse është e pafavorshme që Kosova të mos i përfitojë me kohë mjetet financiare të Bashkimit Evropian, reformat e parapara për afatin e 30 qershorit mbeten pjesë e agjendës së vendit.
Në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), me temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së pas bllokadës politike: Nga momentumi në reforma”, Zulfaj ka thënë se shumica e reformave të mbetura pritet të zbatohen gjatë këtij viti.
“Ne tashmë e kemi thënë disa herë që reformat nuk humben, ne jemi në një proces të reformave, titulli është “Agjenda e reformave”, sigurisht është keq kur mjetet nuk arrijnë të fitohen në kohë, kjo është çështje edhe e afateve, por të gjitha reformat të cilat kanë qenë të parapara për afatin e 30 qershorit ato janë prapë në agjendën tonë të reformave, shumica që zbatohen këtë vit. Pra, asnjë reformë nuk do të mbetet mbrapa, pra kur jemi tek procesi i reformues, është keq ngecja por sot kemi kohë të diskutojmë”, tha Zulfaj.
Ai ka vlerësuar se kritikat e bazuara në fakte dhe informimi i drejtë i publikut janë të rëndësishme për përmirësimin e punës së institucioneve dhe avancimin e procesit të reformave.
Sipas tij, Plani i Rritjes parasheh 111 hapa reformues në pesë fusha, të cilat synojnë përmirësimin e shërbimeve publike, rritjen ekonomike, krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë, avancimin social dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Zulfaj ka bërë të ditur se Kosova mund të përfitojë 882 milionë euro nga ky plan, prej të cilave një e treta janë grante, ndërsa dy të tretat kredi.
“Kritika e mbështetur në fakte e ndihmon punën tonë dhe i përmirëson institucionet. Roli juaj është tejet i rëndësishëm, jo vetëm në kritikën konstruktive, por edhe në informimin e drejtë të opinionit publik. Siç e dini, plani i rritjes me 111 hapa të reformave, të ndarë në 5 fusha, do të sjellë reformë të madhe në shoqëri. Ato synojnë të jetë më të mirë për qytetarët, rritje ekonomike, shërbime publike më të mira, më shumë mundësi për të rinjtë, përkrahje e avancim social, mbrojtje e të drejtave, lirive, dhe etj.
Reformat sigurisht lidhen me kufizimin; plani i rritjes i ka 4 shtylla, 2 shtyllat e fundit janë agjenda e reformave dhe incentivat për zbatimin e këtyre reformave. Për 882 milionë euro, sa Kosova mund të përfitojë, 1/3 janë grante dhe 2/3 janë kredi. Rëndësia e tyre nuk është vetëm tek fondet; është tek përmbajtja dhe ndikimi i tyre në jetën e qytetarëve. Këtu po besoj jemi të gjithë në të njëjtën anë, 18 institucione përgjegjëse: ministri dhe institucione të pavarura, duke përfshirë edhe Kuvendin, dhe të gjithë ju si partnerë në këtë proces me qytetarët si përfitues përfundimtarë”, tha ai.
Kryenegociatori i Kosovës ka theksuar se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve, shoqërisë civile dhe mediave, duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe përgjegjësitë e secilit institucion.
“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon qasje dhe angazhim gjithë-shoqëror, këtë e kemi thënë disa herë, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, por pushtetet janë të ndara, qeveria është bartëse e procesit, por nuk mund të kryejë punën e drejtësisë, sepse këtë duhet ta bëjë drejtësia. Nuk mund të miratojë ligjet, sepse këtë duhet ta bëjë Kuvendi. Dhe nuk mund të kryejë punën e Agjensioneve të Pavarura. Sigurisht, edhe mediat edhe shoqëria civile pastaj duhet të luajnë rolin e tyre si shtyllë e rëndësishme e jetike për demokracinë, në informim të drejtë të qytetarëve”, tha Zulfaj. /kp/