Mbi 150 të arrestuar në Shqipëri pas protestave, rreth 120 policë të lënduar

Mbi 150 të arrestuar në Shqipëri pas protestave, rreth 120 policë të lënduar

Written by

in

olicia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e ditëve të fundit.

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu, ka deklaruar se nga dhuna ndaj efektivëve janë dëmtuar 120 punonjës policie në disa qytete të vendit.

“Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie”, ka deklaruar Ziu.

Sipas të dhënave të Policisë, raste të arrestimeve dhe procedimeve penale janë regjistruar edhe në Durrës, Korçë, Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Kukës, për dhunë ndaj policisë dhe dëmtim të institucioneve e pronës publike dhe private.

Në Durrës janë arrestuar 23 persona dhe 12 të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa në Korçë janë arrestuar dy persona dhe 23 të tjerë janë proceduar. Në Vlorë janë proceduar 20 persona, në Shkodër nëntë, në Elbasan gjashtë dhe në Kukës dhjetë persona.

Ziu ka bërë të ditur se gjatë protestës në Shkodër është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili po trajtohet në Spitalin e Traumës në Tiranë. Sipas tij, personi i dyshuar për plagosjen është identifikuar, por nuk është arrestuar për shkak të moshës.

Ai ka njoftuar gjithashtu se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po hetojnë kanale dhe grupe në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe kërcënime ndaj punonjësve të policisë.

“Lidhur me këtë situatë është regjistruar menjëherë procedimi penal përkatës për veprat e lidhura me këto veprime kriminale tejet të rrezikshme, dhe po bashkëpunojmë ngushtësisht me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste”, ka deklaruar Ziu.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, duke theksuar se protesta duhet të zhvillohet në mënyrë paqësore.

“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”, ka theksuar Ziu.

Burimi: Dukagjini