
Ka ndërruar jetë avokati nga Mitrovica, Sheremet Ademi, një emër i njohur i avokatisë dhe një njeri që, sipas atyre që e njohën, e mbajti përherë afër vetes dhimbjen e Kosovës.
Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik R. BERISHA, me një mesazh personal dhe emocional, ku ka kujtuar jo vetëm juristin dhe kolegun, por edhe njeriun që e kishte takuar, dëgjuar dhe vlerësuar.
Berisha ka treguar se lajmi për vdekjen e Ademit ia riktheu menjëherë në kujtesë një takim të tyre gjatë kohës kur ai kandidonte për kryetar të Odës së Avokatëve.
Ai tregon se kishte shkuar për të folur për avokatinë, por biseda me Sheremet Ademin ishte kthyer shpejt te Kosova.
“Unë i flisja për avokatinë, ai ma kthente bisedën te Kosova. Më këshillonte të angazhohesha në punët që i duheshin shtetit, të përgatitesha për përgjegjësi më të mëdha. Fliste me aq dashamirësi, sa të bënte ta ndieje se rrugën tënde e kishte edhe brengë të veten”, ka shkruar Berisha.
Në reagimin e tij, ai ka kujtuar edhe shqetësimin e vazhdueshëm të Ademit për fatin e të pagjeturve, pritjen e familjeve dhe mungesën e drejtësisë për viktimat.
Sipas Berishës, vitet kalonin, por Sheremet Ademi nuk ishte mësuar kurrë me atë dhimbje dhe nuk ishte pajtuar që familjet të vazhdonin të prisnin, ndërsa krimet të mbeteshin në heshtje.
“Më dhemb që iku pa e parë drejtësinë që e kërkonte me aq ngulm për të tjerët. Sa shumë do të kishte merituar të përjetonte edhe ndonjë ditë gëzimi me ato familje, brengën e të cilave e mbante aq thellë në shpirt”, ka shkruar ai.
Berisha ka rikthyer edhe një fjali të Ademit, të botuar më herët në Sinjali:
“Njeriu varroset një herë, ndërsa e vërteta nuk duhet varrosur kurrë.”
Dhe pikërisht aty, reagimi i tij merr peshën më personale:
“Sonte, këtë fjali e lexoj me zërin e tij.”
Në fund, Berisha i ka shprehur ngushëllimet familjes Ademi, kolegëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur e dashur Sheremet Ademin.
“I dashur Sheremet, faleminderit për pritjen, për fjalën e mirë dhe për besimin që ma dhe me aq bujari. Sa do të doja të ta thosha edhe një herë, duke të pasur përballë.”
U prehsh në paqe.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Shuhet avokati Sheremet Ademi – Besnik R. BERISHA: “Sonte do të doja ta takoja edhe një herë, vetëm të ulesha e ta dëgjoja” appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali