FIFA e ka dënuar Federatën e Futbollit të Spanjës me afro 20 mijë euro dhe ka vendosur që një pjesë e stadiumit të mbetet e mbyllur për ndeshjen e ardhshme të kombëtares spanjolle.
Incidentet kanë ndodhur në stadiumin “RCDE” në Barcelonë, ku luan Espanyoli. Disa tifozë janë dëgjuar duke brohoritur “nëse nuk kërcen, je mysliman”, fillimisht në minutën e dhjetë të pjesës së parë dhe më pas edhe gjatë pjesës së dytë.
Pas përsëritjes së thirrjeve, në ekranin e madh të stadiumit është shfaqur një mesazh që u kërkonte tifozëve të shmangnin sjelljet diskriminuese.
Futbollisti spanjoll Lamine Yamal, i cili është mysliman, i ka dënuar ashpër këto thirrje, duke i cilësuar si mungesë respekti dhe të patolerueshme. Ai i ka quajtur personat përgjegjës për to injorantë dhe racistë.
Pas incidentit, policia spanjolle ka nisur hetimet, ndërsa FIFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj federatës së këtij vendi.
Federata spanjolle ka kundërshtuar vendimin e FIFA-s, duke argumentuar se rasti duhej të shqyrtohej sipas nenit 17 të rregullores, që lidhet me mesazhet politike, ideologjike, fetare ose fyese, dhe jo sipas nenit 15, që trajton diskriminimin dhe abuzimin racor. Komiteti Disiplinor i FIFA-s e ka refuzuar këtë argument.
Për këtë arsye, Federata e Futbollit e Spanjës ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), autoritetit më të lartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve sportive.
Një zyrtar i lartë i federatës spanjolle ka thënë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se institucioni ka reaguar menjëherë pas njoftimit për incidentet dhe ka ndërmarrë masa për të parandaluar përsëritjen e tyre.
Sipas tij, federata ka vepruar për të siguruar që tifozët e pranishëm në stadium të mos pajtoheshin me sjellje të tilla, ndërsa i ka cilësuar sanksionet si të rënda.
Miqësorja mes Spanjës dhe Egjiptit, e zhvilluar si pjesë e përgatitjeve për Kupën e Botës, ka përfunduar pa gola, 0:0.
Nëse vendimi mbetet në fuqi, 15 për qind e ulëseve të stadiumit do të jenë të mbyllura për publikun e zakonshëm. Megjithatë, ato mund të shfrytëzohen nga familjarë, studentë dhe anëtarë të organizatave që luftojnë diskriminimin.
Burimi: RTKLive
