Sipas Vatikanit, Papa shprehu “shqetësim të thellë” për situatën e rëndë humanitare në qytetin e rajonit të Khersonit, ku, sipas autoriteteve ukrainase, rreth 2,000 civilë kanë mbetur të bllokuar, ndërsa furnizimet me ushqime dhe ilaçe janë ndërprerë.
Kreu i Kishës Katolike bëri thirrje për një armëpushim lokal, i cili do të lejonte evakuimin e civilëve dhe dërgimin e ndihmave humanitare.
Nga ana e tij, Kremlini deklaroi se Putin mbështeti synimin e Vatikanit për të ndihmuar në lehtësimin e situatës humanitare. Ndërkohë, Ukraina ka akuzuar Rusinë për krijimin e qëllimshëm të një katastrofe humanitare në Oleshky.
Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shprehu shpresën se presidenti rus do t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së Papës.
Telefonata, e dyta mes Papës Leon dhe Putinit gjatë këtij papati, vjen ndërsa Ati i Shenjtë po rikuperohet pas ndërhyrjes kirurgjikale të së martës. Sipas Vatikanit, gjendja e tij shëndetësore po shënon përmirësim të vazhdueshëm.
Të premten, Papa Leoni drejtoi meshën në spitalin Gemelli, ku morën pjesë edhe pjesëtarë të stafit mjekësor dhe infermieror. Fotografitë e publikuara nga Vatikani e treguan atë në këmbë, duke kremtuar meshën në kapelën e improvizuar të spitalit
Burimi: RTKLive
