
Policia italiane përdori gaz lotsjellës të shtunën pasi u sulmua nga protestues, të cilët hodhën gurë dhe objekte të tjera gjatë përleshjeve në sheshin përballë katedrales gotike të Milanos, raportuan mediat italiane.
Policia, e pajisur me mjete për kontrollin e turmave, u përpoq gjithashtu të largonte protestuesit me fytyra të mbuluara nga “Galleria Vittorio Emanuele II” – një kompleks luksoz dyqanesh që ndodhet në njërin krah të sheshit të katedrales – ndërsa grupe të caktuara u shkëputën nga një protestë kundër kostos së lartë të jetesës, transmeton Klankosova.tv.
Stacioni i metrosë “Duomo” (Katedralja) u mbyll gjatë përleshjeve, ku sipas mediave italiane pati disa të plagosur dhe u kryen disa arrestime.
Në qytetin e Bolonjës, në Italinë veriore, policia përdori topa uji për të shpërndarë turmat dhe arrestoi shtatë persona, pasi një tjetër protestë degjeneroi në dhunë, njoftoi agjencia e lajmeve ANSA.
Sipas Reuters, këto përleshje të kujtonin dhunën në Francën fqinje, ku të shtunën dhjetëra mijëra njerëz – të zemëruar nga rritja e kostove dhe përkeqësimi i shërbimeve publike – dolën në rrugë, në disa prej protestave më të dhunshme të viteve të fundit në atë vend. /Klankosova.tv