
Mërgim Ibriqi, Blinor Cakiqi dhe Ndriçim Cakiqi janë tre personat e dyshuar për sulmin e rëndë fizik ndaj Labinot Dobrunës, 26 vjeçar, i cili përfundoi në Neurokirurgjinë e QKUK-së me lëndime të rënda trupore.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 14 tetor, rreth orës 20:00, kur tre të dyshuarit dyshohet se kanë shkuar me veturë në fshatin Llozicë të Malishevës, ku e kanë marrë viktimën nga shtëpia dhe e kanë dërguar në Komoran të Drenasit.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, ata e kanë dërguar Dobrunën te punëtoria “Moto Heli”, në rrugën “Ali Lladrovci”, që raportohet të jetë në pronësi të Mërgim Ibriqit.
Pikërisht aty dyshohet se të tre e kanë nxjerrë nga vetura dhe e kanë sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të rënda.
Pas sulmit, të dyshuarit dyshohet se e kanë futur sërish në veturë, e kanë kthyer në fshatin e tij dhe e kanë hedhur në tokë pranë shtëpisë, duke u larguar.
Viktima është gjetur më vonë nga një fqinje dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, ai ka pësuar fraktura në nofull, dy brinjë të thyera dhe dëmtime në shtyllën kurrizore, ndërsa vazhdon të trajtohet në Neurokirurgji.
Më 17 tetor, Policia ka arritur të sigurojë Blinor Cakiqin, i cili pas intervistimit është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa mbeten për t’u sqaruar motivi i sulmit dhe përgjegjësia individuale e personave të dyshuar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Këta janë tre të dyshuarit që e morën një të ri nga shtëpia, e rrahën brutalisht dhe e hodhën para derës appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali