
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, duke theksuar se vendi duhet të vazhdojë procesin e “çmontimit të strukturave të mbetura të institucioneve serbe”.
Serbia pritet të mbajë zgjedhje më 25 tetor. Qeveria Kurti, prej vitit 2021, nuk ka lejuar të mbahen zgjedhjet e Serbisë në territorin e Kosovës. Ndërkaq, në veri të vendit, para disa ditësh, u ndalua edhe mbarëvajtja e fushatave zgjedhore.
“Natyrisht që jo, në asnjë mënyrë. Ka fragmente të institucioneve të Serbisë në Kosovë, ka fosile dhe mbetje, por çmontimi i institucioneve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë ka filluar dhe ka ndodhur më 12 qershor 1999. Krejt ato mbetje që na kanë përcjellë si problem janë çështje kohe dhe janë larguar, edhe kanë për t’u larguar tërësisht. Ne çka duhet të garantojmë është që çdo qytetar i Kosovës duhet të ketë të drejtë të jetojë në atdheun e vet, të jetojë mirë në atdheun e vet, të trajtohet barabartë dhe të integrohet me besim në institucionet e Republikës”, tha Haziri në një intervistë për KosovaPress.
Haziri është shprehur skeptik për mundësinë e përparimit në dialogun Kosovë–Serbi, pavarësisht funksionalizimit të institucioneve në Kosovë.
Ai ia atribuon Serbisë përgjegjësinë kryesore për pengesat dhe jostabilitetin në këtë proces.
“Natyrisht që nuk kemi pritje shumë dhe, natyrisht, nga pengesat që po dalin në këtë raport, Serbia është burimi kryesor i tyre, burim i jostabilitetit. Por është në doktrinën e tyre të politikës së jashtme dhe të politikës së brendshme që të mos mbyllin asnjë çështje në raport me Kosovën. Do të duhej të ishte në interesin tonë kryesor që sa më shpejt t’i mbyllim çështjet e hapura dhe Kosova të ecë e pavarur në këtë drejtim. Serbia do të vazhdojë të jetë burimi i jostabilitetit, do të vazhdojë të ndërtojë atë që po e përcjellim ne tash, 47-48 kazerma përreth kufirit. Pse, a keni pritur të ndërtojë hube për inteligjencë artificiale Serbia? Nuk është diçka e re, është e vjetër, është politikë e vjetër. Ata do të vazhdojnë të punojnë sipas parimit gjithçka kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa ne duhet të punojmë sipas parimit gjithçka për pavarësinë e Kosovës”, tha ai.
Krahas kësaj, Haziri ka komentuar edhe zhvillimet që i paraprinë zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula.
Ai ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka problem të bashkëpunojë me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke përmendur zhvillimet e 6 tetorit.
“Jo vetëm për president, por edhe për qeveri, ne me vetëdije të plotë kemi thënë jo. Te çështja e presidentit nuk u arrit konsensusi i brendshëm dhe kjo është pasojë. Por, në anën tjetër, unë nxjerr në sipërfaqe që Vetëvendosja nuk e ka asnjë problem të ndërtojë bashkëpunim edhe me PDK-në, dhe kjo u konkretizua në natën e 6 tetorit dhe doli nga ai qark i mbyllur. Tani nuk ka asnjë lloj pengese apo vije të kuqe për bashkëpunim mes partive politike dhe kjo duhet të nxirret tashmë në rrafshin pragmatik”, potencoi Haziri.
Duke folur për rolin e LDK-së në opozitë, Haziri ka thënë se partia e tij nuk do të përfshihet në përplasje politike pa përmbajtje, por do të angazhohet për përmirësimin e qeverisjes dhe funksionimin e institucioneve.
Ai ka kritikuar atë që e ka cilësuar si garë politike për ta bërë situatën më të keqe, duke theksuar se opozita duhet të fokusohet në interesat e qytetarëve.
“Ne kemi parë që këto vite në Kosovë ka një garë se kush po e bën më keq. Ne nuk marrim pjesë në atë garë, ne do të vazhdojmë të bëjmë opozitë për ta bërë më të mirë qeverisjen në Kosovë. Për ta bërë më të mirë jetën për çdo qytetar në Kosovë. Për t’i bërë më të mirë dhe më funksionalë të gjithë mekanizmat e Republikës së Kosovës. Jemi kundër çdo tendence për kapjen e shtetit që po vazhdon dhe kundër çdo mundësie që të vendoset raporti parti-shtet. Republika është e qytetarëve, demokracia parlamentare është ajo që kanë vendosur dhe është përcaktuar si karakter i organizimit shtetëror, dhe kjo nuk mund të cenohet. Ne, në këtë rrafsh, do të jemi unikë dhe ofensivë si opozitë. Nuk bëjmë opozitë sa për të bërë dhe nuk morëm pjesë në garën e pështymës. Kjo është ajo që ne besojmë”, shtoi Haziri.
Viti 2027, vit i zgjedhjeve të brendshme
Po ashtu, Haziri ka deklaruar se viti 2027 do të jetë vit i zgjedhjeve të brendshme në këtë parti, duke shprehur bindjen se ky proces mund t’i hapë rrugë rikthimit të LDK-së në skenën politike.
Haziri ka thënë se, në mungesë të zgjedhjeve politike për institucionet, gara e ardhshme politike do të zhvillohet brenda vetë partisë.
“LDK-ja, tani, meqë nuk ka zgjedhje politike për institucione, do të ketë garë politike për veten e saj. Kemi zgjedhjet mandatare, viti 2027 është viti i zgjedhjeve në LDK. Unë besoj shumë që do të jetë viti i LDK-së dhe rikthimi i madh i LDK-së mund të ndodhë në një ambient politik i cili do të shkaktojë procese më të mëdha politike”, përfundoi Haziri.