Fermerët e Deçanit prezantojnë gështenjën në panairin bujqësor |Video

Fermerët e Deçanit prezantojnë gështenjën në panairin bujqësor |Video

Written by

in

Në “Ditën e Gështenjës” në Deçan është organizuar Panairi i Prodhimeve Bujqësore, ku fermerët e kësaj komune, krahas gështenjës, kanë promovuar edhe produkte të tjera tradicionale të këtij lokaliteti.

“Dita e Gështenjës, kuptohet që te ne në Dukagjin gështenja është e përmendur, sepse familjet dikur e kanë siguruar bukën e motmotit me frutin që e kanë marrë prej gështenjave që i kanë mbledhur. Për të gjithë është ditë e mirë dhe jemi shumë të kënaqur”, tha fermeri Besim Zeka.

“Fatmirësisht, në Deçan e kemi një natyrë pothuajse të virgjër dhe po mundohemi ta shfrytëzojmë këtë në mënyrë që të ofrojmë produkte sa më cilësore, siç është gështenja, që sot e kemi Ditën e Gështenjës. Po kemi edhe fermerë të zotë që ofrojnë produkte organike, bio. Është kënaqësi kur konsumatorëve u ofron një produkt cilësor. Shpresoj që të na bashkohen edhe bletarë të tjerë”, tha bletari Meta Gjikokaj.

Risi e këtij panairi ishte edhe promovimi i dy llojeve të kungujve, produkte këto të certifikuara nga BioInspekta, të cilat tashmë kanë depërtuar edhe në tregjet e Bashkimit Evropian.

“Konkretisht, këtu kemi dy lloje të kungujve që eksportohen në Zvicër tash e gjashtë vjet dhe kjo është duke e rritur vlerën e prodhimeve bujqësore, aq më shumë që këto prodhime janë të certifikuara nga BioInspekta dhe shkojnë me një vlerë më të madhe në Zvicër”, tha Bajram Çeku nga GLV “Gjeravica” në Deçan.

“Sa u përket fermerëve dhe prodhimeve bujqësore, ne jemi përkujdesur që në panair të marrin pjesë vetëm fermerët e komunës sonë. Jemi munduar t’i përfshijmë të gjitha prodhimet dhe besoj që ka qenë ndër panairet më të mira. Këtë vit i kemi përfshirë edhe shoqatat alpiniste, të cilat do të ecin në Shtegun e Gështenjës”, deklaroi Kastriot Himaj, drejtor i DBZHR-së në Deçan.

Në komunën e Deçanit dhe në komunat e tjera të Dukagjinit, si në Gjakovë, Pejë dhe Junik, janë rreth 3.500 hektarë me gështenja. 

Burimi: RTKLive