Nagavci thotë se do të angazhohen që projektligjet të shqyrtohen në seancën e së enjtes, kërkon miratimin e atyre që janë pjesë e Planit të Rritjes

Nagavci thotë se do të angazhohen që projektligjet të shqyrtohen në seancën e së enjtes, kërkon miratimin e atyre që janë pjesë e Planit të Rritjes

Written by

in

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se ka kërkuar që disa projektligje të shqyrtohen në komisione dhe të sillen për votim në seancën e së enjtes, por se për këtë nuk ka pasur pajtueshmëri nga grupet e tjera parlamentare.

Nagavci ka bërë të ditur se në mesin e projektligjeve janë nëntë që janë pjesë e Planit të Rritjes, të cilat, sipas saj, me miratimin në lexim të dytë mundësojnë përfitimin nga ky plan.

“Sikurse e dini, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës u caktua për të enjten në orën 10:00. Në mbledhjen e ditës së sotme, ndërkaq, si kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkova miratimin në Kryesi të shqyrtimit po ashtu edhe të disa nga projektligjet të cilat do të arrijnë të finalizohen dhe të jenë të gatshme në seancë. Jeni në dijeni që në seancën e datës 5 tetor ishin shqyrtuar dhe miratuar në lexim të parë 14 projektligje. Prej tyre janë nëntë të cilat janë pjesë e Planit të Rritjes, që nënkupton se me miratimin e tyre në lexim të dytë, ne kemi mundësi të përfitojmë nga Plani i Rritjes, sepse janë në kuadër të kritereve për miratimin e këtyre projektligjeve”, ka thënë ajo.

“Duke pasur parasysh se një numër i konsiderueshëm i këtyre janë shqyrtuar edhe në seanca paraprake, por për shkak se kemi qenë në një situatë ku nuk kemi pasur kuvend funksional, nuk kanë arritur të shqyrtohen në lexim të dytë. Kërkova që të njëjtat të shqyrtohen në komisione dhe të vijnë për votim e shqyrtim në seancën e ditës së enjte. Megjithatë, nuk pati një pajtueshmëri nga grupet e tjera parlamentare.

Megjithatë, duke qenë se nesër përfundon afati për dërgimin e amendamenteve nga deputetët në lidhje me këto projektligje të cilat janë në shqyrtim, ne do të angazhohemi me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerët tanë që t’i shqyrtojmë në komisione në ditën e mërkurë, por edhe nesër ato të cilat janë të gatshme, dhe nëse ndonjëri prej këtyre projektligjeve mund të shqyrtohet në seancën e ditës së enjte, do të kërkojmë që t’i kalojmë, sepse janë projektligje të cilat janë me interes.

Duke pasur parasysh se agjenda legjislative e Qeverisë paraqet një numër të madh të projektligjeve që do të shqyrtohen në ditët e muajt në vijim, ne jemi të angazhuar dhe të përkushtuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës që të shqyrtojmë dhe të angazhohemi çdo ditë, në mënyrë që të japim një performancë të mirë për këtë sesion”, ka thënë Nagavci./EO

Burimi: Dukagjini