Tahiri: Vendi po përballet me varfëri, probleme në shëndetësi e arsim, Qeveria duhet të reflektojë

Tahiri: Vendi po përballet me varfëri, probleme në shëndetësi e arsim, Qeveria duhet të reflektojë

Written by

in

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke thënë se varfëria, shëndetësia dhe arsimi janë ndër problemet kryesore që po i shqetësojnë qytetarët.

Tahiri në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se pakënaqësitë në shoqëri po rriten për shkak të vështirësive ekonomike, shërbimeve të dobëta shëndetësore dhe problemeve në sistemin arsimor.

Ai paralajmëroi se, nëse institucionet nuk reflektojnë ndaj këtyre shqetësimeve, pakënaqësia mund të thellohet edhe më shumë.

“Shqiptarët nuk po mund ta lidhin muajin me muaj. Njerëzit që janë në punë po kanë problem, dikush në familje sëmuret dhe kanë problem do të thotë të blejë ilaçet apo të marrë një shërbim që nuk egziston”, tha Tahiri.

Sipas tij, edhe arsimi po përballet me probleme serioze, ndërsa te të rinjtë po shtohet pakënaqësia ndaj shtetit dhe politikës.

“Kërkesa ime për Qeverinë, Ministrin e Financave, shtetin, problemet dihet ku janë. Problemet janë në çmimet e larta, në varfëri, në shërbime të dobëta, në shëndetësi dhe në arsim. Këto janë katër problemet kryesore”, ka deklaruar ai.

Tahiri tha se AAK-ja do të kërkojë politika konkrete për adresimin e këtyre çështjeve.

Ai foli edhe për nevojën e funksionalizimit të Kuvendit, duke thënë se duhet të përmbushen detyrimet që lidhen me punën e institucionit dhe të miratohen çështjet e mbetura pezull.

Tahiri theksoi se institucionet duhet të përqendrohen në problemet e qytetarëve dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për varfërinë, shëndetësinë, arsimin dhe koston e lartë të jetesës.

Burimi: Dukagjini