Dymbëdhjetë provime në shqip dhe dy në maqedonisht. Kjo është zgjidhja që ofroi Ministria e Drejtësisë në takimin e sotëm me studentët për provimet e jurisprudencës. Studentët këtë zgjidhje e cilësojnë si fitore të pjesshme,duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të jepet tërësisht në gjuhën shqipe.
“Kjo që u arrit me një fjalë sot ishte, do ta kushtëzoja dhe do t’i thoja si një fitore e Lëvizjes Studentore dhe gjithë atyre që kanë dalë. Nga një zgjidhje gjysmake që u ofrua në fillim, u ofrua një zgjidhje prej 12 provimeve në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën maqedonase”, tha Mevlan Ademi.
Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari para dallimit të takimit me studentët paralajmëroi se çështja e provimit të jurisprudencës do të trajtohet nga ana e Komisionit të Venecias.
“Parashikojmë të kërkojmë edhe një mendim në afat të shkurtë nga Komisioni i Venecias si organi më prestigjioz, këshillëdhënës evropian për çështje kushtetuese dhe juridike”, tha Jeton Shasivari Ministër i Drejtësisë së RMV-së.
Studentët kanë protestuar disa herë deri më tani në Shkup,me kërkesën që provimi jurisprudencës tu mundësohet ta japin në gjuhën shqipe.
Burimi: RTKLive
