Arsenali afër marrëveshjes së re me Declan Rice

Arsenali afër marrëveshjes së re me Declan Rice

Written by

in

Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano, sipas të cilit palët po përparojnë drejt një marrëveshjeje afatgjatë.

Bisedimet për kontratën e re të reprezentuesit anglez kanë nisur në mars të vitit 2026 dhe, sipas raportimeve të fundit, tashmë kanë hyrë në fazën vendimtare. Drejtuesit e klubit londinez synojnë ta mbajnë Rice në skuadër për shumë vite, duke e konsideruar një nga lojtarët më të rëndësishëm të projektit të trajnerit Mikel Arteta.

“Arsenali po përparon shumë mirë në përpjekjet për ta mbajtur në klub për një kohë të gjatë një nga lojtarët kyç të skuadrës, Declan Rice. Marrëveshja mes Arsenalit dhe Rice për kontratën e re po i afrohet fazës përfundimtare”, ka deklaruar Romano.

Rice e nënshkroi kontratën e tij aktuale në korrik të vitit 2023, pasi u transferua nga West Ham United. Marrëveshja është e vlefshme deri në vitin 2028, ndërsa klubi ka mundësinë ta zgjasë atë edhe për një sezon tjetër, deri në vitin 2029.

Megjithatë, Arsenali dëshiron të sigurojë të ardhmen e mesfushorit me kushte të reja dhe një marrëveshje afatgjatë. Sipas raportimeve, paga e tij aktuale prej rreth 240 mijë funtesh në javë pritet të rritet në afërsisht 350 mijë funte në javë, nëse arrihet marrëveshja e re.

Me këtë kontratë, Rice do të vazhdonte të ishte një prej figurave kryesore të projektit të Arsenalit, në një periudhë kur klubi po punon për të ruajtur bërthamën e skuadrës. Në muajt e fundit, marrëveshje të reja kanë nënshkruar edhe emra të rëndësishëm si Bukayo Saka dhe William Saliba.

Për Arsenalin, vazhdimi i bashkëpunimit me Rice do të ishte një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së stabilitetit dhe ambicieve për të luftuar për trofe në Angli dhe në arenën evropiane.

Burimi: RTKLive