Takim urgjent për Prishtina 2030, Qeveria pritet t’i përgjigjet ICMG-së

Takim urgjent për Prishtina 2030, Qeveria pritet t’i përgjigjet ICMG-së

Written by

in

Zhvillime të reja ka në procesin e përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, pas vërejtjeve të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) për hapat që duhet të ndërmerren në funksion të organizimit të këtij eventi sportiv.

KosovaPress mëson nga burimet e veta se sot është mbajtur një takim urgjent ndërmjet ministrit të Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, dhe drejtuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), ku është diskutuar për situatën e krijuar dhe veprimet që duhet të ndërmerren në vazhdim.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, në këtë takim është vendosur që Qeveria e Kosovës t’i kthejë përgjigje ICMG-së deri nesër, të mërkurën, lidhur me vërejtjet e adresuara për procesin e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.

Ky zhvillim vjen pas publikimit të letrës së ICMG-së nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në të cilën evidentohen shqetësimet e këtij institucioni ndërkombëtar lidhur me përmbushjen e hapave dhe obligimeve financiare që lidhen me organizimin e Lojërave Mesdhetare.

Çështja e Prishtinës 2030 pritet të jetë sërish në fokus më 19 dhjetor, kur ICMG-ja do të mbajë takimin e radhës, në të cilin do të diskutohet konkretisht për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare në Kosovë.

Përgjigjja e Qeverisë së Kosovës dhe hapat që do të ndërmerren në vijim pritet të jenë ndër elementet kryesore në këtë proces, në prag të takimit të dhjetorit, ku do të shqyrtohet ecuria e përgatitjeve për organizimin e Prishtina 2030.