Nga: The Guardian (titulli: Light, camera … razor blades?! How photography became an art form – in pictures)
Përkthimi: Telegrafi.com
Një ekspozitë e re – së cilës The Guardian i dha pesë yje – rrëfen historinë e lindjes së fotografisë artistike. Ja disa nga imazhet më mahnitëse, së bashku me rrëfimet për teknikat e çuditshme me të cilat u krijuan.
Yevonde: Zonja Richard Hart-Davis si Ariel, 1935
Yevonde (1893-1975) është ndoshta më e njohur për portretet e saj vibrante dhe të stilizuara të shoqërisë së lartë. Duke punuar në studion e saj gjatë viteve ’30 të shekullit XX, Yevonde i shndërronte modelet e saj në perëndesha dhe qenie mitike duke përdorur rekuizita dhe kostume të elaboruara. Në këtë imazh, Edith Hart-Davis portretizon shpirtin Ariel nga Shtrëngata e Shakespeareit. Ekspozita Light and Magic: The Birth of Art Photography [Drita dhe magjia: Lindja e fotografisë artistike] qëndron e hapur në “Tate Modern” deri më 21 shkurt 2027.
Long Chin-San: Pranverë buzë lumit, 1942
Nga fundi i shekullit XIX, fotografët përqafuan piktorializmin, jo si stil, por si një ambicie të përbashkët: ta pohonin fotografinë si formë shprehëse arti të barabartë me pikturën, grafikën dhe skulpturën. Këta fotografë eksperimentuan me subjektet, proceset e printimit dhe formatet e ekspozimit për të pohuar rolin krijues të fotografit. Veprat e tyre qarkullonin përmes një rrjeti të gjerë shoqërish fotografike, sallonesh dhe revistash në Evropë, Azi, Amerikë dhe më gjerë.
Edward Weston: Guaska, 1927
Edward Weston (1886-1958) ishte fotograf amerikan me ndikim, i cili u largua nga efektet e piktorializmit drejt një stili të mprehtë, të saktë dhe modernist, duke u bërë figurë udhëheqëse e fotografisë së drejtpërdrejtë dhe më vonë anëtar i kolektivit me ndikim, Group f/64. Ky imazh, i realizuar në studion e tij në Kaliforni, paraqet një guaskë nautilusi të balancuar brenda një guaske abalone, duke përdorur kontraste dramatike drite dhe hijeje për të theksuar format e tyre skulpturore dhe bukurinë abstrakte – organike.
William Mortensen: Nimfa, vitet 1920
William Mortensen (1897-1965) ishte dikur një nga fotografët kryesorë të portreteve dhe glamurit në Holivud. Megjithatë, estetika e tij ekspresioniste, e ndikuar nga pikturat e Goyas, Friedrichut dhe Boschit, çoi në një magjepsje gjithnjë e më të madhe me të çuditshmen, gotiken dhe okulten; dhe, kjo e çoi në një drejtim tjetër. Fotografia e tij e viteve 1920, Nimfa, tregon zotërimin e tij të thellë të manipulimit kimik dhe fizik. Mortenseni i ndryshonte rregullisht printimet e tij me dorë duke përdorur tehe brisku, ngjyra, tekstura dhe shtrembërime me pasqyrë, për t’ua hequr pamjen “mekanike” të kamerës.
Lexo po ashtu nga rubrika “Fotografia”:
– Mesazhet e padukshme të nudos ikonike
– Këndvështrimet radikale të Susan Sontagut vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si e shohim fotografinë
– Merre një pozë!
– Dritaret e mendjes: Imazhet e hershme të Dora Maarit
– Nga selfi i vitit 1840 te reklamat e viteve ’60 të shekullit XX: Tetë imazhet që rrëfejnë historinë e Amerikës
Peter Henry Emerson dhe Thomas Frederick Goodall: Mbledhja e zambakëve të ujit, 1885
Fotografi dhe natyralisti britanik Peter Henry Emerson (1856-1936) u bë zë autoritativ në fotografi në fund të shekullit XIX. Reflektimet dhe simetria ishin aspekte të rëndësishme të fotografive të Emersonit. Në vepra si Mbledhja e zambakëve të ujit, përdorimi i reflektimit krijon një ekuilibër atmosferik mes dritës dhe errësirës.
Cavendish Morton: Lizzie Avery në “In Dahomi”, 1903
Cavendish Morton (1874-1939) ishte i specializuar në portretet e aktorëve të skenës dhe elitës së shoqërisë. Kjo fotografi paraqet aktoren Lizzie Avery. Së bashku me aktoren tjetër Mattie Edwards, Avery luajti në “In Dahomi”, komedinë e parë muzikore të shkruar dhe të interpretuar nga një trupë dhe staf tërësisht me ngjyrë. Ato dhanë kontribute të rëndësishme në artet skenike gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX në ShBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Ho Fan: Botë e tymosur, 1959
Ho Fan (1931-2016) ishte fotograf i arrirë i rrugës që kapi modernizimin e shpejtë dhe energjinë e qytetit të tij të lindjes, Hong Kongut – në një formë të qetë poetike. Ai e shndërroi jetën e përditshme të rrugës në skena të formësuara nga drita dramatike, kompozimi i disiplinuar dhe një ndjesi kinematografike e rrëfimit. Në vepra si Botë e tymosur ndiejmë një teatër takimesh kalimtare, teksa silueta dhe figura të hijëzuara shfaqen përmes mjegullës dhe dritës. Pjesa më e madhe e veprës së tij tregon aftësinë për ta ngritur të zakonshmen, duke ofruar një portret të përjetshëm të Hong Kongut.
Iwata Nakayama: Kompozim (Fluturat), rreth vitit 1941
Iwata Nakayama (1895-1949) ishte figurë qendrore e lëvizjes japoneze Fotografia e Re, e cila ndërthurte abstraksionin me përkushtimin ndaj “fotografisë së pastër artistike” – një term të cilin Nakayama e krijoi në vitin 1928. Ai kap bukurinë poetike tipike të piktorializmit duke kombinuar negativë filmi dhe prerje nga revista përmes një teknike eksperimentale fotomontazhi. Ai shkroi: “Kam një vlerësim të thellë për bukurinë. Por, në çastet kur bukuria mund të duket e pakapshme, nxitem ta krijoj atë”.
Olive Cotton: Baleti i filxhanëve të çajit, 1935
Olive Cotton (1911-2003) ishte anëtare e njohur e Qarkut të Fotografisë në Sidnei, së bashku me bashkëshortin e saj, Max Dupain (shih më poshtë). Studimet e saj mbi dritën dhe formën ndihmuan në formësimin e fotografisë artistike australiane të shekullit XX. Një nga fotografitë më të njohura të Cottonit, Baleti i filxhanëve të çajit, u krijua duke përdorur filxhanë çaji dhe pjata të vogla të blera. E frymëzuar nga dorezat këndore, Cottoni pa një ngjashmëri me valltarët e baletit. Të vendosur nën një dritë të përqendruar, format e filxhanëve, të ngjashme me gjymtyrë, krijojnë një kompozim mbresëlënës modernist.
Lexo po ashtu nga rubrika “Fotografia”:
– Bota enigmatike e Francesca Woodmanit: Imazhet e mbinatyrshme të adoleshentes gjeniale
– Portrete të shpresës: Lufta për t’i mbrojtur vajzat nga konflikti
– Dorothea Lange dhe dhjetë portretet ikonike nga ShBA-ja e harruar
– Realiteti i shtyri të ëndërrojnë: Fotografia amerikane në vitet 1929-1941
– Fotografitë që s’mund të mos i shikoni
Max Dupain: Nëna dhe fëmija, 1952
Max Dupain (1911-1992) iu bashkua Shoqërisë Fotografike të Uelsit të Ri Jugor teksa ishte ende në shkollë të mesme dhe, nga viti 1930 deri më 1933, ishte çirak në studion në Sidnei të fotografit komercial dhe artistik Cecil Bostock. Krijimtaria e larmishme dhe krijuese e Dupainit ndihmoi në formësimin e identitetit pamor të Australisë – nga mesi deri në fund të shekullit XX. E cilësuar nga artisti si një nga pikat kulmore të karrierës së tij, ky është një portretizim i gruas së tij të dytë dhe fëmijës së tyre të parë, Danina, duke dremitur së bashku.
Paul Strand: Zonjusha Thomson, Nju-Meksiko, rreth vitit 1922
Paul Strand (1890-1976) ishte fotograf dhe kineast amerikan i cili, së bashku me fotografë të tjerë modernistë si Alfred Stieglitz dhe Edward Weston, ndihmoi në vendosjen e fotografisë si formë arti. Zonjusha Thomson, Nju-Meksiko, shërben si një vepër e rëndësishme evolutive në karrierën e Strandit. Ajo lidh rrënjët e tij të hershme në piktorializëm – një qasje ndaj fotografisë me një prekje piktorike dhe shumë krijuese – me kalimin e tij drejt modernizmit të zgjuar dhe të strukturuar që më pas e përcaktoi praktikën e tij.
Alvin Langdon Coburn: Kanali Rexhent, 1909
I lindur në Boston, Masaçusets, Alvin Langdon Coburn (1882-1966) nisi të fotografonte në moshën tetëvjeçare, duke treguar shpejt aftësi teknike dhe ndjeshmëri estetike. Ai mësoi procesin e fotogravurës në Shkollën e Qarkut të Londrës për Fotogravurë dhe u vendos në Londër në vitin 1909, ku në shtëpinë e tij vuri dy makina shtypi të punuara me dorë. Në këtë seri, ai paraqet peizazhin e Londrës me tone qëllimisht të ngjeshura, duke krijuar atmosferën e mjegullt të një qyteti të industrializuar.
Wu Peng Seng: Ndërtimi, 1958
Wu Peng Seng (1915-2006) ishte ndër fotografët më të shquar të Singaporit. Artist autodidakt dhe thellësisht i përfshirë në skenën fotografike të Singaporit, Wu u bë më vonë një anëtar i njohur i Shoqërisë Fotografike të Singaporit. Përdorimi i tij shprehës i vijave gjeometrike dhe eksperimentimi me kompozimin, formën dhe tonin i shndërrojnë skenat e Singaporit të pasluftës në imazhe të pasura estetike – në vend që të jenë fotografi dokumentare.
Luo Bonian: Nxjerrja e ujit nga pusi, maj 1932
Bankier me profesion, Luo Bonian ishte fotograf amator shumë prodhimtar në Kinë gjatë viteve 1930-1940. Ai u angazhua me traditat piktorike kineze në pikturën me ngjyrë dhe kaligrafinë, ndërsa përqafoi gjithashtu me gatishmëri art decon – estetikën e dizajnit dhe eksperimentet moderniste të avangardës fotografike nga Perëndimi. Për këtë imazh, Luo organizoi një skenë enigmatike me lule, pëlhurë me motive art deco dhe pamjen nga pas të një figurine prej qelqi të një gruaje lakuriq.
Shapoor N Bhedwar: Shenja mistike, nga albumi Studime arti, rreth viteve 1890
Shapoor Nusserwanjee Bhedwar lindi në një familje të pasur parsi në Bombai (Mumbai) dhe studioi për pak kohë në Shkollën Politeknike të Fotografisë në Londër. Më së shumti i njohur për fotografitë e tij të përpunuara në formë tabloje pararafaeliste, Bhedwari fitoi çmime dhe njohje në mbarë botën gjatë viteve 1890. Rreth vitit 1890, një mbështetës vendor i artit e porositi të përgatiste një album me veprat e tij; i titulluar Studime arti, ai përmbante 31 fotografi të stilizuara në mënyrë teatrale, disa prej tyre të organizuara në seri narrative. /Telegrafi/
Lexo po ashtu nga rubrika “Fotografia”:
– “Manipulimi i imazhit ka ekzistuar gjithmonë”: Dhjetë mashtrime të hershme fotografike
– Roboti dhe filozofi
– Fotografët aborigjenë
– Ëndrra amerikane: Ndërthurja e utopisë me distopinë
– Picasso dhe fotografja Lee Miller
– Vepra e ndaluar e Shirin Neshatit: Heshtja rebele
– Të fotografosh njerëzoren: Portretet e të pastrehëve në Londër
– Kronisti i Luftës së Ftohtë
– Ernest Cole dhe dëshmitë e jetesës nën aparteid
– Pamje nga kufiri i egër