Rusia ka liruar një amerikan, i cili mbahej i burgosur në Rusi prej më shumë se katër vitesh nën akuzat se kishte luftuar si mercenar në Ukrainë, njoftoi i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, gjatë një takimi me presidentin rus Vladimir Putin në Shën Petersburg.
Stephen Hubbard, një mësues në pension 74-vjeçar nga Miçigani, ishte cilësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si person i ndaluar padrejtësisht.
Në një postim në rrjetet sociale të mërkurën, Trump deklaroi se Hubbard “sapo është liruar nga burgu, me kërkesë të Presidentit Donald J. Trump, drejtuar personalisht Presidentit Vladimir Putin gjatë një bisede telefonike javën e kaluar. Stephen është rrugës për në shtëpi dhe së shpejti do të jetë pranë familjes së tij”.
Trump theksoi se SHBA-ja nuk u desh t’i jepte asgjë Rusisë në këmbim – duke përmendur se kjo ndodhi “për respekt ndaj Presidentit Trump” – dhe shtoi se Hubbard duhet të ishte kthyer shumë kohë më parë “përmes administratës së Bidenit, e cila nuk arriti asgjë në negociatat e saj me Kremlinin”.
Witkoff e falënderoi personalisht Putinin për lirimin e Hubbard-it, ndërsa Putini bëri të ditur se Hubbard ndodhej në aeroportin Pulkovo të Shën Petersburgut – i njëjti aeroport ku Witkoff kishte mbërritur më herët gjatë së mërkurës.
Sipas mediave shtetërore ruse, vendimi për lirimin e Hubbard-it u mor “për arsye humanitare”.
CNN thotë se nuk mundi ta konfirmonte menjëherë vendndodhjen e Hubbard-it.
Para udhëtimit të Witkoff-it në Moskë, një zyrtar amerikan deklaroi se vizita e të dërguarit të posaçëm “pritej të përfshinte përpjekje për të siguruar lirimin e shtetasit amerikan Hubbard, i cili mbahej padrejtësisht; kjo pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të Presidentit Trump për t’i kthyer amerikanët në shtëpi”. /Telegrafi/