Apeli e konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj zv.kryeministrit Damka

Apeli e konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj zv.kryeministrit Damka

Written by

in

Apeli e konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj zv.kryeministrit Damka

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj zëvendëskryeministrit Fikrim Damka dhe ish-ushtruesit të detyrës së sekretarit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj, shtatë muaj pasi Gjykata Themelore e kishte hedhur poshtë atë.

Damka dhe Kamberaj akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi dyshohet se gjatë viteve 2021-2022 ua mundësuan në mënyrë të kundërligjshme përfitimin e rreth një milion eurove organizatave “Caritas Zviceran” dhe “Germin”.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, kolegji gjykues ka vlerësuar se vendimi i shkallës së parë për pushimin e procedurës ishte nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale. Për këtë, Apeli ka konstatuar shkelje esenciale të procedurës, sipas nenit 384 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se provat e administruara në këtë fazë të procedurës krijojnë dyshim të bazuar mirë se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, si dhe se provat janë mbledhur dhe siguruar në përputhje me ligjin.

Në mars të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte hedhur poshtë aktakuzën, me arsyetimin se nuk ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e procedurës penale, për shkak të mungesës së provave.

Pas shqyrtimit të ankesës, Apeli ka vendosur që procedura penale ndaj Damkës dhe Kamberajt të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.

Damka aktualisht është zëvendëskryeministër i tretë në Qeverinë “Kurti 4”, përgjegjës për çështjet e pakicave dhe bashkëpunimin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali