Një person është arrestuar në Pejë, nën dyshimin për tentim grabitjeje në një barnatore në rrugën “Bekim Berisha – Abeja”. I dyshuari, i cili dyshohet se kishte hyrë në barnatore i armatosur me thikë, ishte larguar nga vendi i ngjarjes pasi kishte vërejtur se brenda objektit ndodheshin disa persona.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti kishte ndodhur më 12 tetor 2026, rreth orës 19:10, ndërsa policia ishte njoftuar për incidentin rreth orës 19:15.
Pas marrjes së informatave, njësitet përkatëse policore kishin dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa, në konsultim me prokurorin kompetent, ishte iniciuar rast për veprën penale “Grabitje në tentativë”.
Hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit u zhvilluan nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Pejë. Si rezultat i veprimeve hetimore, policia arriti ta identifikojë të dyshuarin me inicialet K. Z., mashkull i moshës madhore.
Ai u arrestua më 21 tetor 2026 në qytetin e Pejës.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia Rajonale në Pejë ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe hetimin e veprave penale, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar, si dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve. /Telegrafi/