Rusia kërcënon Japoninë

Rusia kërcënon Japoninë

Written by

in

Rusia ka kërcënuar Japoninë me masa të ashpra, pasi kompania japoneze Terra Drone njoftoi javën e kaluar se kishte dërguar një sasi dronësh në Ukrainë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, paralajmëroi Tokion se Moska mund të ndërmarrë masa kundër Japonisë, duke theksuar se Rusia ka burimet e nevojshme për t’i zbatuar ato.

Deklarata e saj erdhi pas njoftimit të kompanisë japoneze për dërgimin e dronëve në Ukrainë, në një zhvillim që ka shkaktuar reagime të ashpra në Moskë.

Zakharova përsëriti gjithashtu qëndrimin e Kremlinit se objektet e prodhimit të armëve në Ukrainë konsiderohen objektiva legjitime për sulme ruse. Ajo la të kuptohet se paralajmërimi i Moskës duhet të merret parasysh edhe nga autoritetet japoneze.

“Besoj se do të na dëgjojnë në Tokio”, deklaroi Zakharova, duke iu referuar mesazhit të Rusisë ndaj Japonisë.

Dërgimi i dronëve nga kompania Terra Drone vjen në kohën kur Ukraina po kërkon të forcojë kapacitetet e saj ushtarake dhe teknologjike për t’u përballur me pushtimin rus.

Deri më tani, nuk janë bërë të ditura hollësi të plota për llojin dhe numrin e dronëve të dërguar, ndërsa nuk ka informacione të konfirmuara për masa konkrete që Rusia mund të ndërmarrë ndaj Japonisë.

Kërcënimet e Moskës shtojnë tensionet mes Rusisë dhe Japonisë, e cila ka mbështetur Ukrainën dhe ka dënuar pushtimin rus, në koordinim me vendet e tjera të Grupit të Shtatë (G7). /Telegrafi/