Ai ka mohuar pretendimet se pacientët kanë mbetur katër muaj pa këtë terapi për shkak të mungesës së barit në klinikë, duke theksuar se përparimi i kancerit metastatik mund të ndodhë edhe gjatë trajtimit të rregullt.
“Barnat e gjeneratës së re, përfshirë Palbociclib, janë terapi mbështetëse që synojnë të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes, por shkenca mjekësore fatkeqësisht nuk garanton ndalimin e plotë të saj te çdo pacient”, ka thënë Kurtishi.
Kurtishi ka bërë me dije se do të publikohen detaje nga historia mjekësore e pacientes, duke respektuar konfidencialitetin.
“Shoqata “Renesansa” është kontaktuar drejtpërdrejtë nga QKUK pas reagimit dhe gjatë këtij komunikimi, përfaqësuesit e Shoqatës kanë konfirmuar se pacientja po përballej me sëmundjen për herë të dytë në një stad të avancuar dhe ka qenë në gjendje të trajtimit për shkak të metastazave”, ka deklaruar tutje ai.
Ndryshe Shoqata e pacientëve me kancer “Renesansa” ka ngritur shqetësimin për mungesën e barit Palbociclib në Kosovë, duke bërë me dije se një paciente onkologjike, e cila sipas shoqatës kishte qenë në gjendje të mirë gjatë trajtimit, mbeti rreth katër muaj pa terapi për shkak të mungesës së barit dhe pamundësisë për ta blerë atë me çmim të lartë.
Sipas reagimit të Renesansës, pacientja më pas humbi jetën.
Shoqata ka bërë me dije se për këtë çështje kishte reaguar publikisht edhe më herët, ndërsa edhe vetë pacientja kishte dhënë deklaratë publike lidhur me mungesën e terapisë.
Renesansa u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë barnat esenciale për pacientët onkologjikë, duke theksuar se qasja në trajtim është jetike për këta pacientë.
Në reagimin e saj, shoqata ka veçuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) dhe Ministrinë e Shëndetësisë, duke kërkuar përgjegjësi.
Burimi: RTKLive
