Airbnb ka ndryshuar rregullat për pronarët e akomodimeve, duke kufizuar detyrat që mund t’u kërkojnë mysafirëve, veçanërisht ato që lidhen me pastrimin para largimit.
Sipas udhëzimeve të reja, pritësit mund të përcaktojnë shtatë rregulla standarde për banesat e tyre, si dhe të shtojnë kërkesa të tjera që konsiderohen të arsyeshme. Megjithatë, kompania thekson se mysafirët, të cilët paguajnë edhe tarifë pastrimi, nuk duhet të detyrohen të kryejnë punë që zakonisht i takojnë pastruesve, si larja dhe sistemimi i enëve apo heqja e çarçafëve nga shtretërit.
Rregullat e reja do të zbatohen për të gjitha rezervimet e bëra në platformë nga 20 nëntori e tutje, transmeton Telegrafi.
“Rregullat e banesës i ndihmojnë mysafirët të kuptojnë pritshmëritë e pronarëve, por kemi dëgjuar nga komuniteti ynë se ato mund të jenë konfuze, të rënda dhe të vështira për t’u menaxhuar”, tha Airbnb për BBC-në.
Kompania shtoi se i ka rishikuar udhëzimet për t’i bërë më të qarta dhe më të lehta për t’u gjetur, duke vendosur një politikë të re që synon të sigurojë se kërkesat ndaj mysafirëve janë të arsyeshme dhe pa surpriza.
Sipas kushteve të publikuara në faqen e Airbnb-së, pronarët në përgjithësi nuk mund t’u kërkojnë mysafirëve të kryejnë detyra që kërkojnë shumë kohë ose përpjekje, apo që zakonisht realizohen nga një pastrues. Përveç larjes së enëve dhe heqjes së çarçafëve, në këtë kategori përfshihet edhe dërgimi i mbeturinave jashtë pronës.
Megjithatë, mund të ketë përjashtime në rrethana të caktuara. Për shembull, në zonat ku zbatohen kufizime të përdorimit të ujit për shkak të thatësirës, mysafirëve mund t’u kërkohet të kufizojnë kohën e dushit.
Airbnb njoftoi gjithashtu se rregullat e secilës pronë do të shfaqen më dukshëm në platformë dhe do të përfshihen në rikujtuesit që marrin mysafirët për rezervimet e tyre.
Kontratat do të lejohen vetëm në raste të kufizuara, përfshirë situatat kur ato kërkohen me ligj ose nga rregullat e shoqatave të pronarëve të banesave.
Edhe pse pronarët nuk do të mund të vendosin gjoba ndaj mysafirëve, ata do të vazhdojnë të kenë kontroll mbi rregullat e shtëpisë dhe kërkesat që bëjnë. Nëse një kërkesë bie ndesh me politikat e Airbnb-së, çështja do të sinjalizohet dhe pronari do të ketë mundësi të paraqesë ankesë nëse nuk pajtohet me vlerësimin.
Për vite me radhë, përdoruesit e platformës janë ankuar për detyrat e tepruara që u kërkohen para largimit, sidomos kur u duhet të paguajnë edhe tarifë pastrimi.
Debati është rikthyer në vëmendje edhe për shkak të videove virale në TikTok të publikuara nga Cassie dhe Jon, një çift që jep me qira prona në shtetin amerikan të Xhorxhias. Në videot e tyre, ata inspektojnë me hollësi akomodimet pasi largohen mysafirët.
Në njërën prej videove, çifti i akuzon mysafirët se kanë shkelur rregullat e shtëpisë, pasi kishin lënë telekomandën e televizorit në vendin e gabuar.
Videot janë kritikuar për rregullat e rrepta dhe standardet e larta të pastrimit, por çifti është përgjigjur se përmbajtja e tyre është keqinterpretuar. Ato kanë frymëzuar edhe krijues të tjerë në rrjetet sociale që të publikojnë parodi për pritësit me kërkesa të tepruara. /Telegrafi/