Vitia: Herë pas here ka mungesë të barnave të caktuara në Onkologji

Vitia: Herë pas here ka mungesë të barnave të caktuara në Onkologji

Written by

in

Vitia: Herë pas here ka mungesë të barnave të caktuara në Onkologji

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është përgjigjur ndaj kritikave për furnizimin me barna në Klinikën e Onkologjisë, duke pranuar se herë pas here ka mungesa të barnave të caktuara.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, Vitia ka thënë se nga 70 milionë eurot e buxhetit të përgjithshëm për barna, 22 milionë euro janë ndarë për Onkologjinë.

Ai e ka arsyetuar mungesën e barnave për trajtimin e kancerit me rritjen e numrit të pacientëve që kanë kërkuar këto preparate, duke shpjeguar se kërkesa ka qenë më e madhe sesa furnizimi i planifikuar fillimisht nga klinika.

“Në tri vitet e fundit janë shtuar një numër barnash në listën e barnave esenciale, me theks ato onkologjike, përfshirë Palbociclibin. Deri në mes të vitit 2025 këto barna nuk kanë qenë në listë dhe kur fillon një shërbim i ri apo futet një bar i ri fillimi kurrë nuk është i lehtë. Së pari me këto preparate Onkologjia për herë të parë në Kosovë është furnizuar më 2025. Për shkak se është medikament i ri klinika ka bërë planifikimin bazuar në pacientët që kanë shkuar në klinikë dhe kanë pasur nevojë për të. Por siç ndodh shpesh me këto raste pacientët që kanë qenë duke u trajtuar me këtë medikament ose në klinika private apo e kanë marrë privatisht, ose jashtë vendit, momentin kur u bë i disponueshëm në klinikë janë kthyer për ta marrë në Klinikën Onkologjike dhe kjo ka dyfishuar numrin e pacientëve që kanë kërkuar këtë trajtim për mbi planifikim që është bërë”, ka thënë ai në Kuvend.

Sipas Vitisë, rritja e kërkesës për këto barna ka pasur ndikim edhe në buxhetin e paraparë për furnizim.

“Natyrisht se ka pasur implikime të dyfishta buxhetore dhe është e vërtetë se herë pas here edhe mungesë të këtyre barnave”, ka deklaruar ministri.

Ministri ka theksuar se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohet pa kryerjen e autopsisë dhe procedurave të tjera përkatëse.

“Për shkakun e vdekjes nevojitet autopsia dhe shumë procedura të tjera për të qenë i qartë. Nuk mundet as mjeku ta konstatojë shkakun e vdekjes në raste të tilla”, deklaroi Vitia.

Ai ka bërë të ditur se drejtori i Klinikës së Onkologjisë kishte mbledhur informacionet për rastin dhe më pas kishte reaguar publikisht për të sqaruar rrethanat.

“Drejtori i Klinikës Onkologjike i merr të gjitha informacionet dhe del me reagim publik ku ka shpjeguar të gjithë situatën. Për çudi të gjitha mediat që e kanë shpërndarë paraprakisht lajmin e pasaktë, e qesin e publikojnë reagimin instituicional përveç gazetares dhe mediumit”, shtoi ministri.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali