Irlanda po shqyrton mundësinë e rritjes së ndjeshme të numrit të ushtarëve që kontribuojnë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë, Althea, pas përfundimit të angazhimit të saj në Liban.
Sipas mediave irlandeze, aktualisht rreth 13 ushtarë irlandezë janë pjesë e KFOR-it, ndërsa planifikuesit ushtarakë po vlerësojnë mundësitë për shtimin e trupave në të dyja misionet, raporton The Irish Times.
Diskutimet janë ende në fazat fillestare dhe deri më tani nuk është përcaktuar numri i ushtarëve që mund të dërgohen në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Shqyrtimi i mundësisë për zgjerimin e angazhimit në këto misione vjen pas vendimit për përfundimin gradual të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Libanin jugor, UNIFIL, ku shërbejnë më shumë se 300 ushtarë irlandezë. Tërheqja e trupave pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm, duke i dhënë fund pranisë gati pesëdekadëshe të Irlandës në këtë rajon.
Përfaqësues të ushtrisë irlandeze i kanë kërkuar qeverisë të identifikojë misione të reja ndërkombëtare ku Forcat e Mbrojtjes mund të kontribuojnë. Synimi është krijimi i mundësive të reja për personelin ushtarak dhe ruajtja e numrit të ushtarëve në shërbim.
Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Irlandës, gjenerallejtënant Rossa Mulcahy, ka deklaruar se përfundimi i misionit në Liban do të përbëjë sfidë për ushtrinë irlandeze, por nuk do të shënojë fundin e angazhimit të saj në misionet ndërkombëtare.
Rritja e mundshme e numrit të ushtarëve në KFOR dhe në misionin Althea mund të realizohet edhe nëse mbetet në fuqi i ashtuquajturi mekanizëm i trefishtë i miratimit (Triple Lock), pasi të dyja misionet kanë mandat të Kombeve të Bashkuara.
Ky mekanizëm kërkon mandat të OKB-së për pjesëmarrjen e më shumë se 12 ushtarëve irlandezë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit. Qeveria irlandeze synon ta shfuqizojë këtë kërkesë, me arsyetimin se ajo u jep Rusisë dhe Kinës, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mundësinë për të bllokuar angazhimin e trupave irlandezë.
Megjithatë, partitë opozitare e konsiderojnë mekanizmin Triple Lock thelbësor për ruajtjen e neutralitetit të Irlandës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali