Kurti kërkon statusin e kandidatit për BE dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kurti kërkon statusin e kandidatit për BE dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të hapen negociatat për anëtarësim.

Gjatë fjalës së tij në Samitin e Procesit të Berlinit, në Budva të Malit të Zi, Kurti ka deklaruar se Kosova i qëndron vlerave të BE-së dhe se në politikën e jashtme vepron sikur të ishte vend anëtar. Ai ka kërkuar gjithashtu anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Kurti ka kritikuar Serbinë për, siç është shprehur, përdorimin e metodave armiqësore ndaj Kosovës, duke i krahasuar ato me metodat e Rusisë. Ai ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë.

Kryeministri ka theksuar se Milan Radoiçiq, të cilin e ka cilësuar si përgjegjës për sulmin në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë dhe i mbrojtur nga autoritetet serbe.

“Në Kosovë, një fqinj ka përdorur të njëjtat metoda, për të njëjtat qëllime, kundër shtetit tonë. Muajin e kaluar u bënë tre vjet nga sulmi terrorist në fshatin verior, Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë sonë, Afrim Bunjaku”, ka thënë Kurti.

Ai ka kërkuar që sulmet ndaj Kosovës të trajtohen si çështje që prek gjithë Evropën, duke argumentuar se nevojitet një përgjigje e përbashkët.

“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues. Për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin”, ka deklaruar ai.

Në fjalën e tij, Kurti ka ngritur edhe çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të samitit që t’i kushtojnë vëmendje gjendjes së tyre.

“Ju bëj thirrje të shikoni nga afër Luginën e Preshevës, ku shqiptarët, hap pas hapi, po shtyhen jashtë institucioneve, jetës publike e qytetare, derisa qëndrimi po bëhet shumë më i vështirë sesa largimi. Dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut janë të parat në mesin e vlerave që duhet t’i ndajmë së bashku”, ka thënë Kurti.

Burimi: Dukagjini