Zyrtare: Presidentja Shiroka-Pula e kthen në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Specialen

Zyrtare: Presidentja Shiroka-Pula e kthen në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Specialen

Written by

in

Zyrtare: Presidentja Shiroka-Pula e kthen në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Specialen

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë vendim për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Vendimi vjen pas propozimit zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë që ta rishqyrtojë atë.

Sipas njoftimit të Presidencës, rishqyrtimi lidhet veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

Në arsyetimin e vendimit, presidentja ka vlerësuar sakrificën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Ajo ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen e saj për Deklaratën e Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Presidentja ka ritheksuar kundërshtimin ndaj çdo përpjekjeje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës apo për të barazuar popullin që luftoi për liri me regjimin që e shtypi atë.

Në njoftim bëhet e ditur se Shiroka-Pula ka zhvilluar dhe po vazhdon konsultimet me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës së UÇK-së, si dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të krerëve të saj që po gjykohen në Hagë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali