Themelimi dhe zhvillimi i Xhandarmërisë së Kosovës ishte ndër temat e takimit të ministrit të Punëve të Brendshme me përfaqësues të Karabinierëve në Itali.
Gjatë vizitës në Komandën e Përgjithshme të Armatës së Karabinierëve, ministri Xhelal Sveçla takoi shefin e Shtabit, gjeneralin Andrea Taurelli Salimbeni.
Sipas ministrit, palët diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës profesionale.
“Duke qenë se themelimi dhe zhvillimi i Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës përbën një prioritet të Qeverisë, shkëmbyem pikëpamje mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, veçanërisht përmes shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës profesionale, me synim ndërtimin e kësaj komponente të rëndësishme të sigurisë sipas standardeve dhe praktikave më të mira”, ka shkruar Sveçla.
Në takim u diskutua edhe për progresin e Kosovës në fushën e sigurisë. Ministri falënderoi pjesëtarët e Karabinierëve për kontributin në mbështetje të institucioneve, sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Ai theksoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë mbetet i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbrojtjen e qytetarëve.