OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse zvarritet Ligji për Specialen

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse zvarritet Ligji për Specialen

Written by

in

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse zvarritet Ligji për Specialen

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka shprehur shqetësim lidhur me debatin për plotësimet dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke u bërë thirrje partive parlamentare që të mos e përdorin këtë çështje për interesa partiake.

Në një reagim, OVL-UÇK e ka cilësuar këtë ligj si të rëndësishëm për luftën çlirimtare dhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Organizata ka shprehur pakënaqësi ndaj dënimit të shqiptuar në shkallën e parë, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe politik.

Sipas OVL-UÇK-së, ekspertët juridikë që e mbështesin organizatën vlerësojnë se nuk ka pengesa juridike për miratimin e ligjit dhe se procesi varet nga vullneti politik.

Organizata ka kundërshtuar edhe pretendimet se përfshirja e çështjes së faljes për krime lufte është antikushtetuese. Sipas saj, ligji aktual për Dhomat e Specializuara e rregullon çështjen e faljes dhe zbutjes së dënimit, duke ia dhënë këtë kompetencë kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

OVL-UÇK vlerëson se, meqë shumica e deputetëve kanë shprehur gatishmëri për ta votuar ligjin, propozimet për dispozita të reja nuk duhet të përdoren si arsye për zvarritjen apo pengimin e procesit.

Në këtë drejtim, organizata u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që, nëse ligji rikthehet në Kuvend, plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme të bëhen pa vonesa dhe të miratohen me procedurë të përshpejtuar.

Në fund, OVL-UÇK ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve dhe protestave nëse kërkesat e saj nuk merren parasysh dhe procesi vazhdon të zvarritet.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali