Dy kongresmenët amerikanë, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, kanë reaguar lidhur me protestat e fundit në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për përdorimin e forcës nga policia ndaj protestuesve dhe duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet dhe të respektojë të drejtën e qytetarëve për protesta paqësore.
Kongresmeni demokrat Ritchie Torres është shprehur thellësisht i shqetësuar për shpërthimin e dhunës ndaj protestuesve në Shqipëri, duke i cilësuar veprimet e policisë shqiptare si të papranueshme.
Torres ka theksuar se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe se institucionet e rendit kanë detyrimin ta respektojnë këtë të drejtë, duke vepruar në përputhje me sundimin e ligjit.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga shpërthimi i dhunës ndaj protestuesve në Shqipëri. Veprimet e ndërmarra nga policia shqiptare janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. Shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, policia duhet ta respektojë këtë të drejtë dhe të ruajë sundimin e ligjit. Situata duhet të qetësohet për t’i dhënë fund dhunës alarmante”, ka deklaruar Torres.
Ndërkohë, kongresmeni republikan Mike Lawler ka bërë të ditur se është kontaktuar nga qytetarë shqiptaro-amerikanë të distriktit të tij zgjedhor në Nju Jork, të cilët kanë shprehur shqetësime serioze për protestat në Shqipëri dhe ndikimin e tyre në të ardhmen e demokracisë në vend.
Lawler ka theksuar se qëndron përkrah komunitetit shqiptaro-amerikan dhe popullit shqiptar, duke nënvizuar se çdo qeveri demokratike, veçanërisht ato të vendeve anëtare të NATO-s, duhet të garantojë lirinë e shprehjes dhe të drejtën për tubime paqësore.
“Kam dëgjuar nga zgjedhësit e mi shqiptaro-amerikanë në distriktin NY-17, të cilët janë thellësisht të shqetësuar për protestat e vazhdueshme në Shqipëri dhe për atë që kjo situatë nënkupton për të ardhmen e demokracisë në vend. Unë qëndroj përkrah zgjedhësve të mi dhe popullit shqiptar”, ka deklaruar Lawler.
Ai i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë qeverisë shqiptare që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve dhe të ndalojë përdorimin e forcës ndaj protestuesve paqësorë.
“Çdo qeveri, veçanërisht demokracitë dhe aleatët e NATO-s, duhet të respektojë të drejtën e qytetarëve të saj për të protestuar paqësisht dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre. I bëj thirrje qeverisë shqiptare që menjëherë të ulë tensionet dhe t’i japë fund përdorimit të forcës ndaj protestuesve paqësorë”, ka theksuar kongresmeni republikan.
Reagimet e Torresit dhe Lawlerit vijnë në kohën kur protestat në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e përfaqësuesve politikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më herët, edhe kongresmenja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e familjarëve të komunitetit shqiptar, duke i kërkuar qeverisë shqiptare të ndalojë atë që ajo e cilësoi si shtypje të dhunshme të protestuesve dhe të respektojë lirinë e shprehjes.
Këto reagime vijnë në sfondin e tensioneve të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të rendit në Shqipëri, ndërsa kongresmenët amerikanë kanë vënë theksin te respektimi i të drejtave demokratike, sundimi i ligjit dhe shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës./Telegrafi.