Filmi “Qentë nuk kanë ëndrra” përzgjidhet në festivalin ndërkombëtar CineMed në Francë

Filmi “Qentë nuk kanë ëndrra” përzgjidhet në festivalin ndërkombëtar CineMed në Francë

Written by

in

Filmi i shkurtër “Qentë nuk kanë ëndrra”, me skenar dhe regji të Hanis Bagashov, është pjesë e seleksionimit zyrtar të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar CineMed, që mbahet në Montpellier të Francës.

Produksioni 17-minutësh garon në kategorinë e filmave të shkurtër dhe trajton historinë e dy të rinjve, Ilire dhe Besnik, të cilët përpiqen ta mbajnë të fshehtë lidhjen e tyre në një fshat të izoluar, për shkak të konfliktit të vjetër mes familjeve. Ngjarjet marrin një kthesë kur Besniku përfshin qenin e tij në një luftë për të siguruar para, duke vënë në rrezik marrëdhënien dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen.

Filmi u shfaq më 20 tetor në sallën Pasteur, në kompleksin Corum, në prani të kineastëve, ndërsa shfaqja e radhës është planifikuar për 22 tetor, sipas programit të festivalit.

Në kastin e filmit janë Era Balaj, Deniz Rustemi, Ilire Vinca, Refet Abazi dhe Gresa Farizi. Drejtor i fotografisë është Fejmi Daut, montazhi është realizuar nga Kasiyana Angelova, muzika nga Arta Abazi, ndërsa për zërin është kujdesur Darko Spasovski.

“Qentë nuk kanë ëndrra” është bashkëprodhim i Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Sllovenisë. Përzgjedhja në CineMed i jep filmit mundësinë të prezantohet para publikut ndërkombëtar dhe të kontribuojë në promovimin e krijimtarisë filmike nga rajoni në skenën evropiane.

Festivali CineMed në Montpellier është i përqendruar në promovimin e kinematografisë mesdhetare, duke përfshirë filma artistikë, dokumentarë dhe produksione të shkurtra nga vende të ndryshme./Telegrafi/